2 Prill 2021

AMF nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me INSTAT për Programin e Statistikave Zyrtare

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Instituti i Statistikave nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili përcakton përgjegjësitë në funksion të shkëmbimit të informacionit dhe transmetimit të të dhënave për Programin e Statistikave Zyrtare. Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, z. Ervin Mete dhe Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, znj. Elsa Dhuli. Marrëveshja synon të rrisë performancën e funksionimit të Sistemit Kombëtar Statistikor, duke rregulluar mënyrën e organizimit të punës, transmetimit të statistikave dhe të dhënave të ndryshme, si edhe detyrimet e ndërsjella institucionale në kuadër të këtij bashkëpunimi.

Palët do të bashkëpunojnë gjithashtu në hartimin e planeve të punës në fushën e statistikave, përmirësimin e metodave dhe teknikave ekzistuese në mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, si edhe në shkëmbimin e rregullt të dokumentave formalë e teknik. AMF dhe INSTAT bien dakord të bashkëpunojnë për realizimin e anketave dhe vrojtimeve statistikore të bizneseve dhe qytetarëve për tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, në funksion të mbrojtjes së interesave të konsumatorëve/investitrorëve, si edhe nxitjes së transparencës, besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë në këto tregje.