28 Maj 2021

Zhvillimet e tregut të sigurimeve në Shqipëri për periudhën janar-prill 2021

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-prill 2021 kapën vlerën 5,355 milionë lekë, ose 13.34% më shumë se në periudhën janar-prill 2020. Gjatë periudhës janar-prill 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 269,245 me një ulje prej 5.31% krahasuar me periudhën janar-prill 2020.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.67 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.31%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 45.16% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 54.84% të totalit të tregut.

Gjatë periudhës janar-prill 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,542 milionë lekë, ose 13.4% më pak se në periudhën janar-prill 2020, kryesisht për shkak të pagesës së pjesës më të madhe të dëmeve të tërmeteve vitin e kaluar. 

Gjatë periudhës janar-prill 2021, dëmet e paguara bruto-sigurimi motorik kapën vlerën 1,382 milionë lekë duke pësuar një rritje me rreth 58.87% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-prill 2021 arritën rreth 2,936 milionë lekë, ose 10.93% më shumë se në periudhën janar-prill 2020.

Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-prill, pati një rritje prej 12.93% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 14.95% krahasuar me periudhën janar-prill 2020.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-prill pati një ulje prej 8.36% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 18.76% krahasuar me periudhën janar-prill 2020.

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-prill, pati një rritje 80.03% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-prill 2020. Edhe numri i kontratave u rrit me 79.31%.

Sigurimi Vullnetar
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-prill 2021 arritën rreth 2,418 milionë lekë, 16.43% më shumë se në periudhën janar-prill 2020. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 24.51% krahasuar me periudhën janar-prill 2020.

Primet e sigurimit vullnetar Jo-Jetës gjatë periudhës janar-prill 2021, patën rritje me 15.72% kundrejt periudhës janar-prill 2020.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-prill 2021 siguruan mbi 1,338 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 70.54%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 20.04% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-prill 2021, vihet re një rritje prej 31.90% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 10.95% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-prill 2020.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-prill 2021, arritën në rreth 353 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 2.75% në krahasim me periudhën janar-prill 2020.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-prill 2021, arritën rreth 392 milionë lekë, ose 19.99% më shumë se në periudhën janar- prill 2020.

*[1]Dëmet e Paguara Bruto
Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-prill 2021 u ulën me 13.40% krahasuar me periudhën janar-prill 2020. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 1,382 milionë lekë, apo 54.35% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Tabela më poshtë paraqet dëmin mesatar për disa nga produktet e sigurimit motorik.

Emërtimi Vlerat (në 000 lekë) Ndryshimi
(në %)
Janar-Prill 2020 2021 21/`20-1
 Dëmi mesatar
MTPL e brendshme                             155                    195 25.46
Karton Jeshil                             515                 1,235 139.7
Kasko                             104                    124 18.58

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor për periudhën janar-prill 2021, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së tregut të sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.
Për të lexuar raportin e plotë statistikor (në versionin Excel) për janar-prill 2021, ju lutemi klikoni këtu.


 
 
[1]Tek dëmet e paguara janë perfshirë dhe Dëmet nga Fondi i Kompensimit raportuar nga Byroja Shqiptare e Sigurimit.