11 Qershor 2021

Nis zbatimi i projektit të ri të Bankës Botërore për tregjet e kapitalit

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së zhvilloi një takim online me Përfaqësuesin e ri të Përhershëm të Bankës Botërore në Shqipëri, z. Emanuel Salinas dhe znj. Maryam Salim, e cila përfundon mandatin e saj 4-vjeçar si Menaxhere e Bankës Botërore në vendin tonë. Në takim ishin të pranishëm edhe zv/Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, z. Patrik Meier, si edhe përfaqësues të tjerë të Bankës Botërore dhe Ambasadës Zvicerane.   

Takimi u zhvillua në nisje të zbatimit të projektit të asistencës teknike të financuar nga Sekretariati Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) dhe me mbështetjen e Bankës Botërore për “Forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të AMF-së për tregjet e kapitalit”.

Projekti do të shërbejë për draftimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit të ri për tregjet e kapitalit, fuqizimin e mbikëqyrjes me bazë rreziku, zhvillimin e kapaciteteve mbikëqyrëse, si dhe ndërmarrjen e nismave për zhvillimin e tregut të kapitaleve përmes rritjes së edukimit financiar.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv falenderoi Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rolin thelbësor që ajo ka luajtur ndër vite në rritjen e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe përmirësimin e kuadrit rregullator të Autoritetit. 

Pjesëmarrësit në takim evidentuan progresin e bërë nga Autoriteti në drejtim të forcimit të rolit rregullator dhe mbikëqyrës.