15 Shtator 2021

Ecuria e tregjeve nën mbikëqyrje, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së takim online me misionin e Bankës Botërore

Ecuria e tregjeve financiare nën mbikëqyrjen e AMF-së dhe zbatimi i projektit të asistencës me mbështetjen e Bankës Botërore ishin në fokus të takimit virtual mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe ekipit të misionit të Bankës Botërore për sektorin financiar.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së bëri një ekspoze mbi ecurinë e tregjeve financiare jobankare përgjatë pjesës së parë të vitit 2021, si edhe ndikimeve të pandemisë gjatë vitit të kaluar. Z. Mete theksoi se situata në tregjet nën mbikëqyrje i është kthyer normalitetit, me disa tregues që kanë shfaqur rritje edhe krahasuar me vitin 2019, përpara pandemisë. Megjithatë, AMF po monitoron me kujdes në vijimësi zhvillimet në këto tregje.   

Z. Mete informoi ekipin e misionit të Bankës Botërore mbi ecurinë e procesit të hartimit dhe miratimit të akteve nënligjore në zbatim të ligjeve të reja për tregjet nën mbikëqyrje, ku Autoriteti për një pjesë të rregulloreve po asistohet nga ekspertët ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e misionit të Bankës Botërore për sektorin financiar vlerësuan rolin e Autoritetit në garantimin e stabilitetit financiar përgjatë pandemisë dhe shprehën angazhimin e tyre për të vijuar bashkëpunimin.  

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu në lidhje me ecurinë e projektit të financuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), me mbështetjen e Bankës Botërore, për tregjet e kapitalit dhe të sigurimeve.