1 Tetor 2021

Ecuria e tregjeve dhe asistenca e FMN-së për Autoritetin, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv zhvillon takim me Drejtuesen e Misionit

Ecuria e tregjeve financiare jobankare, plotësimi i kuadrit rregullator dhe asistenca teknike e Fondit Monetar Ndërkombëtar ishin çështjet kryesore të diskutuara në takimin mes Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së, z. Ervin Mete dhe Drejtueses së Misionit të FMN-së për Shqipërinë, znj. Yan Sun.

Z. Mete u shpreh se vërehet një përmirësim i vazhdueshëm i treguesve teknikë e financiarë të shoqërive në tregjet nën mbikëqyrje. Gjithashtu në muajt e parë të vitit 2021 është shënuar rritje e të ardhurave dhe aseteve të shoqërive që operojnë në këto tregje, si në krahasim me vitin 2020, ashtu edhe me vitin 2019. Autoriteti ka përparuar me procesin e hartimit dhe miratimit të akteve rregullatore sipas afateve të përcaktuara ligjore.   
  
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv falenderoi Drejtuesen e Misionit të FMN-së për asistencën teknike ndaj Autoritetit, në funksion të ndërtimit të një kornize efektive rregullatore dhe mbikëqyrëse, në zbatim të ligjit për tregjet financiare të bazuara në regjistrat e shpërndarë.   

Drejtuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar znj. Yan Sun shprehu gadishmërinë për të vijuar bashkëpunimin dhe asistencën me fokus forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit dhe plotësimin e kuadrit nënligjor. Misioni i FMN-së vlerësoi se masat rregullatore të Autoritetit kanë qënë të përshtatshme, në funksion të monitorimit të kujdesshëm të treguesve dhe garantimit të stabilitetit financiar.