20 Tetor 2021

Progres Raporti i KE-së vlerëson miratimin e ligjit për sigurimin e detyrueshëm

Komisioni Evropian, në Progres Raportin për Shqipërinë, ka vlerësuar miratimin e Ligjit 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Në gjetjet e Kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, raporti nënvizon se “është bërë progres në lidhje me rekomandimet e vitit të kaluar përmes miratimit të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.   

Më tej, raporti thekson se ligji i cili hyri në fuqi në korrik 2021 është në përputhje me legjislacionin e BE-së. Dokumenti përmend gjithashtu masat e marra nga Autoriteti për të garantuar stabilitetin financiar të tregjeve në kuadër të pandemisë COVID-19, duke veçuar vendimin e Bordit për pezullimin e shpërndarjes së fitimit të vitit 2020 nga shoqëritë e sigurimit, në formën e dividendit apo në çdo formë tjetër pagesash.   

Në lidhje me infrastrukturën e tregut financiar, konstatohet se Bursa Shqiptare e Titujve vijon të operojë vetëm me tregtimin e titujve qeveritarë. Gjithashtu, theksohet se Regjistri Shqiptar i Titujve (ALREG) plotëson infrastrukturën e pastregtimit, përmes klerimit/shlyerjes së titujve joqeveritarë.

Në dokument përmenden ligjet e reja të miratuara për tregjet e kapitalit, sipërmarrjet e investimeve kolektive dhe tregjet financiare të bazuara në regjistrat e shpërndarë. Progres Raporti konstaton se në zbatim të ligjit për sipërmarrjet e investimeve kolektive, janë miratuar aktet nënligjore për investimet kolektive, rastet e pezullimit, menaxhimit të rrezikut dhe procedurat e licencimit. Gjithashtu është miratuar ligji për tregjet e kapitalit, shoqëruar me 5 rregullore në zbatim të tij. Këto akte përafrojnë pjesërisht kuadrin ligjor të Shqipërisë me Direktivën MiFID II dhe legjislacionin e BE-së për transparencën, manipulimin e tregut, prospektet, mbi shlyerjen dhe depozitarët qendrorë të titujve.