11 Nentor 2021

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së merr pjesë në prezantimin e platformës për shërbimet e investimit online të BKT

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete mori pjesë në ceremoninë e prezantimit nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT) të platformës për kryerjen e shërbimeve të investimit online, në partneritet me bankën e specializuar evropiane Saxo Bank. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, z. Mete theksoi se AMF është angazhuar në përafrimin e kuadrit ligjor e rregullator me legjislacionin e BE-së, gjë që ka krijuar edhe mundësi të reja të ndërlidhjes me tregjet financiare ndërkombëtare.

Ligjet e reja kanë rritur standardet dhe kërkesat për transparencë dhe përshtatshmëri, si elementë thelbësorë të nxitjes së besimit dhe pjesëmarrjes së investitorëve në tregjet e kapitalit. Kjo është platforma e parë e shërbimeve të investimeve online, që i jep akses të drejtpërdrejtë investitorëve shqiptarë, duke i ofruar mundësinë e investimit në aksione të kompanive ndërkombëtare dhe në një sërë instrumentesh të tjera financiare, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së .  
   
Duke marrë në konsideratë se investimi në instrumente financiare shoqërohet edhe me rreziqe, Autoriteti ka ndërmarrë një ndërhyrje strikte rregullatore, duke vendosur kritere shtesë lidhur me vlerësimin e përshtatshmërisë së klientit, rritjen e nivelit të transparencës, si edhe efektivitetin dhe sigurinë e sistemit përmes të cilit ofrohet shërbimi online në investime.

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, me Vendimin nr. 193, datë 26.10.2021, i dha të drejtën shoqërisë “Banka Kombëtare Tregtare” sh.a. për kryerjen e shërbimeve të investimit online, nëpërmjet platformës “Smart Invest”.