16 Dhjetor 2021

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF, takim me Shoqatën Shqiptare të Bankave

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete ishte i pranishëm në pritjen e fundvitit të Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB). Në fjalën e mbajtur, z. Mete theksoi se viti 2021 konsolidoi më tej bashkëpunimin mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe bankave tregtare si aktorë të rëndësishëm në tregjet e kapitalit dhe fondet e investimit e pensionet private, por edhe në sektorin e sigurimeve.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se ligjet e reja në tregjet e kapitalit dhe fondet e investimit kanë diversifikuar hapësirat e investimit dhe ndërlidhjes në tregjet financiare. Gjithashtu, përgjatë këtij viti bankat i janë nënshtruar ndryshimeve ligjore e rregullatore në lidhje me përshtatshmërinë, si edhe zgjerimin e aktivitetit të tyre, përmes ofrimit të shërbimeve të reja të investimit.

Përmirësimi i kuadrit ligjor përmes rritjes së kërkesave për transparencë dhe forcimit të rolit mbikëqyrës e rregullator, ka qenë ndër objektivat e Autoritetit. Nëpërmjet kësaj synohet rritja e besimit në mekanizmat e tregut, si element thelbësor që nxit pjesëmarrjen e investitorëve, duke shfrytëzuar dimensionet e reja  të ofruara nga ligji, theksoi z. Mete.

Bankat tregtare luajnë një rol të rëndësishëm në tregjet financiare të mbikëqyrura nga AMF, duke qënë se zotërojnë pjesën më të madhe të shoqërive administruese të fondeve të investimeve dhe pensioneve private, si edhe shërbejnë si Depozitarë të tyre. Gjithashtu, bankat ofrojnë shërbime në fushën e sigurimeve, kryesisht në rolin e brokerit.