22 Dhjetor 2021

AMF organizon takimin e fundvitit me tregjet nën mbikëqyrje

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi më 22 dhjetor 2021 takimin e fundvitit me drejtuesit e shoqërive të tregjeve nën mbikëqyrje. Në fjalën e mbajtur, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, z. Ervin Mete, bëri një pasqyrim të ecurisë dhe zhvillimeve përgjatë vitit 2021, si edhe parashtroi disa nga objektivat e Autoritetit për vitin në vazhdim.

Z. Mete u shpreh se tregjet nën mbikëqyrje kanë shënuar rritje dyshifrore, jo vetëm krahasuar me vitin 2020, por edhe me vitin 2019. Rritja ka qenë si në nivel të ardhurash, nga primet në tregun e sigurimeve, ashtu edhe në nivel asetesh sa i përket fondeve të investimeve dhe atyre të pensioneve private, por edhe në nivel anëtarësh. Gjithashtu ka një përmirësim të treguesve të likuiditetit, mjaftueshmërisë së kapitalit dhe mbulimit me provigjone.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv vlerësoi rolin e drejtuesve të shoqërive të tregjeve nën mbikëqyrje sa i përket masave të marra për të përballuar efektet e pandemisë COVID-19, përmes miratimit të planeve të vijimësisë së biznesit dhe ruajtjes së niveleve të përshtatshme të likuiditetit. Gjithashtu, ai vlerësoi shoqëritë e sigurimit për menaxhimin dhe trajtimin e dëmeve të tërmeteve të vitit 2019.       
    
Z. Mete theksoi se përgjatë muajve të fundit është realizuar një riformatim ligjor e rregullator domethënës, duke u ndryshuar pjesa më e madhe e ligjeve të tregjeve nën mbikëqyrje. Në zbatim të ligjeve të reja, Autoriteti është në fazën finale të miratimit të bazës rregullatore. Gjithashtu, është në proces të konsultimit publik projektligji “Për fondet private të pensioneve”.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv nënvizoi se harmonizimi i legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian ka shtuar mundësitë e ndërlidhjes dhe ka diversifikuar hapësirat, duke sjellë një vëmendje të shtuar të emrave të rëndësishëm evropianë për të qenë të pranishëm në vendin tonë, përmes platformave të ndërlidhjes me tregjet ndërkombëtare, ose fondeve të investimit.  

I pranishëm në takimin e organizuar nga AMF, Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, z. Eduard Shalsi vlerësoi rolin e Autoritetit në garantimin e stabilitetit të tregjeve financiare jobankare. Ai shprehu gjithashtu mbështetjen për çdo nismë legjislative në funksion të thellimit të pavarësisë institucionale dhe mirërregullimit e zhvillimit të mëtejshëm të tregjeve nën mbikëqyrje.