23 Dhjetor 2021

AMF nis tryezat konsultuese për projektligjin e ri “Për fondet e pensionit privat”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka zhvilluar një tryezë konsultimi mbi projektligjin “Për fondet e pensionit privat” me Drejtuesit dhe anëtarët e Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve. Në takim, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Ervin Mete theksoi se drafti i hartuar, edhe me ekspertizën e Bankës Botërore, jo vetëm përafron kuadrin aktual me legjislacionin dhe direktivat evropiane, por edhe synon t’i japë një ritëm të ri zhvillimi tregut të fondeve të pensioneve private.

Z. Mete u shpreh se ndryshimet ligjore, duke përafruar Direktivën IORP II, modernizojnë kuadrin rregullor dhe zgjerojnë format e pensioneve private, si edhe politikat e investimit të shoqërive administruese, duke diversifikuar portofolin e fondeve. Gjithashtu, ndryshimet prekin aspekte të menaxhimit dhe mbikëqyrjes të shoqërive administruese të fondeve të pensionit privat, që kanë të bëjnë me kërkesa më strikte rregullatore sa i përket administrimit të rrezikut dhe ruajtjes e veçimit të aseteve të fondit, apo rritjen e kërkesave për transparencë dhe informacion për anëtarët e fondit.

Drejtuesit e Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve e vlerësuan në tërësi projektligjin e paraqitur si një draft që synon të zhvillojë tregun e pensioneve private, përmes rishikimit të politikave fiskale, si edhe dhanë disa sugjerime në funksion të përmirësimit të mëtejshëm. Projektligji do t’i nënshtrohet në vazhdim tryezave konsultuese me të gjithë aktorët e tregut dhe palët e interesuara.