24 Mars 2022

Investimet e Diasporës përmes instrumenteve të reja financiare, Drejtori i AMF në aktivitetin e “Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare”

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete ishte i pranishëm në aktivitetin e organizuar nga Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare “Perspektiva e re e investimit në Atdhe”. Në fjalën e mbajtur, z. Mete u përqendrua te mundësitë dhe hapësirat e krijuara përmes ligjeve të reja për tregjet e kapitalit dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive për përfshirjen e Diaporës në investime në Shqipëri nëpërmjet instrumenteve të reja financiare.

Ligji “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” ka mundësuar krijimin e fondeve alternative të investimit, si edhe ka krijuar hapësira për kanalizimin edhe të investimeve të Diasporës nëpërmjet fondeve me kapital privat në projekte zhvillimi në Shqipëri. Gjithashtu, me ligjin e ri për tregjet e kapitalit është krijuar arkitektura e nevojshme ligjore dhe është plotësuar infrastruktura për tregtimin e instrumenteve të reja financiare, siç mund të jetë Obligacionet e Diasporës.  

Kuadri ligjor e rregullator mundëson emetimin e obligacioneve me ofertë publike, përveç emetimeve të deritanishme me ofertë private. Në këtë mënyrë, Korporatat Publike mund të emetojnë Obligacione me Ofertë Publike, të drejtuara ndaj Diasporës, për të gjeneruar financime për projekte të veçanta zhvillimi, të cilat mund të përfshijnë direkt Diasporën Shqiptare përmes blerjes së këtyre titujve.