21 Prill 2022

FMN vlerëson qasjen rregullatore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

Në kuadër të Takimeve të Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Washington, në sesionin me titull “Paraja Digjitale – Zhvillimi i Kapaciteteve për Ndërtimin e një Cikli Virtuoz”, ekspertët e FMN-së u ndalën tek rasti i Shqipërisë, si një nga vendet që ka miratuar një kuadër ligjor për asetet virtuale dhe ka qenë përfitues i asistencës teknike të FMN-së në këtë fushë. Ata vlerësuan qasjen rregullatore dhe përgatitjen e stafit të AMF-së përgjatë kohëzgjatjes së projektit të asistencës.

“Vitin e kaluar kemi ndërmarrë një mision të asistencës teknike për zhvillimin e kapaciteteve në Shqipëri me fokus zbatimin efektiv të kuadrit ligjor në lidhje me kripto-asetet. Rrjedhimisht, kemi bashkëpunuar ngushtësisht me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, si përfitues kryesor, i cili duhet thënë se ka një staf të mirëpërgatitur. Ekspertiza e FMN-së u fokusua në sfidat kryesore potenciale dhe implikimet në praktikë që mund të sjellë zbatimi i Ligjit 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, me fokus të veçantë procesin e licencimit dhe disa aspekte të mbikëqyrjes financiare.” 

Në përfundim, misioni i ekspertëve të FMN-së vërejti se aktivitetet e lidhura me kripto-asetet në Shqipëri janë relativisht të ulëta në dukje, ndërkohë që miratimi i një kuadri ligjor mund të ndihmojë në legjitimimin e këtyre veprimtarive.

Më poshtë, gjeni linkun e sesionit “Paraja Digjitale – Zhvillimi i Kapaciteteve për Ndërtimin e një Cikli Virtuoz”:

https://www.youtube.com/watch?v=HBUnmS9_Im0&feature=youtu.be