30 Mars 2023

AMF në ndarjen e çmimeve për studentët e konkursit të bursës - Stock Market Learning Competition

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me German Sparkassenstiftung Albania organizuan aktivitetin përmbyllës të konkursit “Të mësojmë për bursën” - Stock Market Learning Competition, 2023. Ky aktivitet i shërben nxitjes së edukimin financiar të studentëve për tregun e kapitalit, një nga tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së. Ky është viti i dytë që AMF bashkëpunon për zhvillimin e këtij aktiviteti me studentët e fakulteteve ekonomike të universiteteve të vendit.  40 skuadra studentore, nga 18 universitete të ndryshme në vend, si edhe nga Universiteti i St. Kliment Ohridski nga Maqedonia e Veriut morën pjesë në këtë konkurs. 

Duke përshëndetur këtë aktivitet, Zj. Mimoza Kaçi, Nëndrejtore Ekzekutive e AMF-së, vlerësoi angazhimin e të rinjve për të thelluar njohuritë e marra gjatë studimeve universitare për tregjet e kapitalit. Ajo theksoi se  tregtimi në bursën virtuale është një fillim i mirë në rrugëtimin e karrierës profesionale dhe investim për të ardhmen e të rinjve. Zj. Kaçi, përcolli përpara pjesëmarrësve aktivitetet e AMF-së për edukimin financiar, bashkëpunimin me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për zhvillimin e tregut të kapitalit në vend, si edhe përmirësimet në kuadrin ligjor dhe rregullator për tregjet financiare jobankare.

Takimi u përshëndet edhe nga z. Paul Kriews, Menaxher i Projektit nga German Sparkassenstiftung Gjermani, i cili uroi studentët shqiptarë që morën pjesë në këtë konkurs, krahas 100,000 pjesëmarrësve të tjerë në të gjithë Evropën.  

Përgjatë katër muajve të konkursit, skuadrat u pajisën me fonde virtuale dhe i investuan ato në tituj me çmimet reale të tregtimit në tregjet financiare ndërkombëtare. Vlerësimi në konkurs u bazua në dy kritere: vlera dhe qëndrueshmëria në portofolin investues, duke promovuar me çmime gjashtë skuadra studentore.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të vijojë aktivitetet për nxitjen e edukimit dhe gjithëpërfshirjes financiare.