30 Mars 2010

Zhvillohet seminari "Mbi zbatimin e direktivës "Për marrjen në kontroll të shoqërive""

Më datë 29 Mars 2010, Komisioni Evropian në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, brenda kuadrit të instrumentit TAIEX, zhvilloi seminarin “Mbi zbatimin e direktivës “Për marrjen në kontroll të shoqërive”” në ambientet e Hotel Tirana International në Tiranë.

Seminari pati si qëllim prezantimin e Direktivës së BE duke u fokusuar në drejtim të ofertave  për marrjen në kontroll të shoqërive, rëndësinë e zbatimit të direktivës, kompetencat e Autoritetit Rregullator, eksperiencat nga vendet e tjera që kanë zbatuar direktivën e lartpërmendur si dhe rekomandimet në zbatimin e saj.

Fjalën e hapjes e mbajti Kryetarja e AMF, Zj. Elisabeta Gjoni, e cila vuri theksin në rëndësinë e miratimit të Ligjit nr. 10236 datë 18.2.2010 “Për marrjen në kontroll të shoqërive publike”, risitë që sjell ky ligj si dhe rolin e AMF dhe rregullatorëve të tjerë në mbikëqyrjen e procesit të marrjes në kontroll. Në vijim, eksperiencat dhe reformat e ndërmarra nga vende si Italia, Gjermania, Greqia dhe Letonia u prezantuan nga ekspertë nga vendet në fjalë, të cilët bënë dhe analiza të detajuara të legjislacionit evropian që lidhet me këtë fushë specifike.

Në seminar morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Integrimit. Temat u ndoqën me mjaft interes nga të pranishmit dhe pati mjaft pyetje dhe diskutime.

Për të lexuar axhendën e zhvillimit të seminarit klikoni këtu.