23 Prill 2010

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për Periudhën Janar - Mars 2010

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar-mars 2010, arritën rreth 2,072 milionë lekë, ose rreth 7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar- mars 2010 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 135,080 duke shënuar një ulje prej rreth 16%, krahasuar me janar-mars 2009. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 92% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 8%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 56% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 44% të totalit të tregut. Rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar tregon për një ndryshim të strukturës së tregut të sigurimeve ndikuar nga rritja e ndjeshme e sigurimeve vullnetare.

Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 917 milionë lekë, ose rreth 10.46% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produkti Sigurim Kufitar gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2010 pati një rritje prej 28.16% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 29.11% krahasuar me janar-mars 2009.

Produkti TPL e brendshme  gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2010 pati një rritje prej 1.59% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 4.42% krahasuar me janar- mars 2009.

Ndërsa produkti Karton Jeshil  pati një ulje me rreth 41.32% për primet e shkruara bruto, krahasuar me janar-mars 2009 dhe numri i kontratave pati një ulje prej 17.87% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009.

Sigurimi Vullnetar

Në harkun kohor të pak viteve, tregu i sigurimeve gjendet me një strukturë të përmirësuar në favor të sigurimeve vullnetare, që në janar-mars 2010 sollën 56% të primeve të sigurimit. Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 1,155 milionë lekë, ose 25.49% më shumë se në janar-mars të vitit 2009, por me rreth 33.27% ulje  të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë 3-mujorit të parë të vitit, patën rritje me rreth 26.84% kundrejt periudhës janar-mars 2009.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 753 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 43.38%  të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 39.95% .

Në janar-mars të vitit 2010, sigurimet e përgjegjësisë kanë pasur një rritje me rreth 55.45%, krahasuar me muajin janar-mars 2009.

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' gjatë 3-mujorit të parë të këtij vitit ndihet një rritje prej 4.94% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 40.98% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me muajin janar-mars 2009.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën janar-mars 2010 arritën në rreth 82 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 5.56% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 70% të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e jetës në janar-mars 2010 arritën 169 milionë lekë, ose rreth 18.17% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë muajve janar-mars 2010 u rritën me rreth 40.88% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 406 milionë lekë, apo 86.96 % të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për këtë lloj sigurimi, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

                                                                                                                                                                                    në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2009

2010

                                                                                   Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

88

   109

Karton Jeshil

552

1,081

Kasko

93

     99

Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor janar-mars 2010, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Mars 2010 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Mars 2010 (në versionin PDF) klikoni këtu