12 Dhjetor 2007

BERZH miraton projektin SMI për AMF-në

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me mbështetjen e donatorëve të Fondit të Ballkanit Perëndimor ka ndërrmarë projektin e Zhvillimit të Sistemit të Manaxhimit të Informacionit (SMI) për AMF-në.

Objektivi kryesor i këtij projekti  është zhvillimi i një sistemi të përshtatshëm të manaxhimit të informacionit që do të mbështesë proceset mbikëqyrëse të AMF-së. Projekti do t’i shërbejë zhvillimit efektiv dhe konform rregullave të tregjeve financiare jo –bankare, përfshirë këtu sektorin e sigurimeve (jetë dhe jo – jetë) dhe administrimin e fondeve të pensioneve, duke rritur rolin e AMF-së, nëpërmjet modernizimit të sistemit të tij të informacionit dhe raportimit.  

Ky sistem do të përdoret për funksionet e mbledhjes dhe raportimit të të dhënave dhe do të mundësojë evidentimin e problemeve, duke i shërbyer AMF-së në të njëjtën kohë për kalimin tek përqasja e mbikëqyrjes “me bazë riskun” dhe përdorimi me efektivitet i burimeve të mbikëqyrjes. Zbatimi i SMI –së  jo vetëm do të përmirësojë kapacitetet e raportimit dhe analizës për AMF-në dhe do të ndihmojë në monitorimin më nga afër të aftësisë paguese dhe aspekteve të tjera të shoqërive të sigurimit dhe fondeve të pensioneve, por gjithashtu do të ndihmojë me ndërtimin kapaciteteve afatmesme dhe afatgjata.

SMI do të fokusohet në shoqëritë e sigurimeve dhe fondet e pensioneve, duke lënë hapësira për shtrirje në sektorin e mbikëqyrjes së shoqërive të letrave me vlerë, apo operatorëve të tjerë të mbikëqyrur (si ndërmjetësit) në të ardhmen.

 

Për më shumë informacion, klikoni linkun e mëposhtëm:

http://www.ebrd.org/oppor/procure/opps/consult/071211a.htm