20 Maj 2010

Zhvillimi i aktivitetit dy ditor “Drejt një mbikëqyrje efektive me fokus rrezikun në sigurime dhe përshtatja e kuadrit ligjor” në datat 24 - 25 maj 2010

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nën asistencën e Bankës Botërore dhe me financimin e First Initiative po punojnë për me shumë se një vit për realizimin e Projektit “Për Mbikëqyrjen Efektive”.

Në këtë kuadër, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Bankën Botërore, në datat 24 - 25 maj 2010, në ambientet e hotel "Rogner Europapark", do të zhvillojë aktivitetin dy ditor “Drejt një mbikëqyrje efektive me fokus rrezikun në sigurime dhe përshtatja e kuadrit ligjor”.

Gjatë ditës së parë, drejtues dhe specialistë të AMF, do të njihen me arritjet e projektit, punën e AMF dhe të ekspertëve të Bankës Botërore në drejtim të hartimit të manualit të integruar të mbikëqyrjes (on dhe off site), i cili do të shërbejë si guidë në zbatimin e metodologjisë së re të mbikëqyrjes me bazë rrezikun. Gjithashtu, në këtë panel, ekspertë të Bankës Botërore do të parashtrojnë drejtimet kryesore të përmirësimit të bazës ligjore të fushës së sigurimeve, me qëllim përshtatjen e saj kësaj metodologjie të bazuar në rrezik.

Gjatë ditës së dytë, në fokus do të jenë drejtuesit dhe specialistët e tregut të sigurimeve, të cilët do të njihen me rezultatet e projektit “Për Mbikëqyrjen Efektive”, si draft-metodologjinë e re të mbikëqyrjes dhe përmirësimet e propozuara në kuadrin ligjor të fushës së sigurimeve. Ata do të jenë pjesë e diskutimit dhe shpalosjes së eksperiencave përkatëse.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet do të jenë ekspertë të Bankës Botërore, përfaqësues të shoqërive të sigurimit dhe të AMF.

Bashkëlidhur njoftimit do të gjeni axhendën.