14 Qershor 2010

U zhvillua Konferenca e 35-të Vjetore e IOSCO-s

(Material i përpunuar, nxjerrë nga Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO), qershor 2010)

Organizata Ndërkombëtare e Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO), zhvilloi gjatë periudhës 6-10 qershor 2010, Konferencën e 35-të Vjetore, në Montreal, Kanada. AMF u  përfaqësua në këtë eveniment nga zyrtarë të lartë të Institucionit, kryesuar nga Elisabeta Gjoni, Kryetare e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Në konferencë u diskutua axhenda si më poshtë:

- Drejtimi Strategjik i IOSCO-s
 
Gjatë Konferencës së 35-të Vjetore, IOSCO e riformuloi misionin dhe objektivin e saj strategjik për pesë vitet e ardhshme, për të marrë në konsideratë rolin e rritur të IOSCO-s në fushën e ruajtjes dhe përmirësimit të kuadrit rregullator ndërkombëtar të tregjeve të letrave me vlerë përmes vendosjes së standardeve ndërkombëtare, identifikimit dhe trajtimit të rreziqeve të sistemit, çuarjen përpara të përmbushjes së Objektivave dhe Parimeve të Rregullimit të Letrave me Vlerë të IOSCO-s, si dhe në ndjekjen e zbatimit të plotë të Memorandumit Shumëpalësh të IOSCO-s për Konsultimet, Bashkëpunimin dhe Shkëmbimin e Informacionit.
 
Grupi i Posaçëm i Punës për Drejtimin Strategjik të Komitetit Ekzekutiv është duke vazhduar shqyrtimin që po i bën rolit dhe funksioneve kyçe të IOSCO-s, në mënyrë që t’i japë mundësi IOSCO-s të vazhdojë udhëheqjen në përgatitjen e standardeve rregullatore për tregjet e kapitalit, duke mbajtur në konsideratë mësimet e nxjerra nga kriza financiare botërore.
 
- Përditësimi i Objektivave dhe Parimeve të IOSCO-s
 
Objektivat dhe Parimet e Rregullimit të Letrave me Vlerë e IOSCO-s (Parimet e IOSCO-s) janë miratuar nga kjo organizatë në vitin 1998. Objektivi i tyre është të nxisin vendet anëtare për përmirësimin e cilësisë së rregullimit që u bëjnë letrave me vlerë. Ato janë treguesit ndërkombëtarë të krahasimit, për parimet dhe praktikat e duhura për rregullimin e tregjeve të letrave me vlerë.
 
Në situatën e krijuar pas krizës më të fundit financiare, Komiteti Ekzekutiv i IOSCO-s, i ngarkoi Grupit të Posaçëm të Zbatimit detyrën për të rishikuar Parimet e IOSCO-s, duke marrë në konsideratë konsensusin e arritur lidhur me shqetësimet rregullatore që ka nxjerrë në pah kriza. Komiteti i Kryetarëve ka miratuar parimet e rishikuara të IOSCO-s, ku përfshihen tetë parime të reja si edhe një sërë ndryshimesh në parimet ekzistuese.
 
Komiteti Ekzekutiv po vazhdon shqyrtimin, duke u përqendruar tani në Metodikën për Vlerësimin e Zbatimit të Parimeve të IOSCO-s.

- Memorandumi Shumëpalësh i Mirëkuptimit të IOSCO-s
 
I miratuar në maj 2002, Memorandumi Shumëpalësh i IOSCO-s është standardi ndërkombëtar i krahasimit për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit mes enteve rregullatore.  Gjatë kësaj mbledhjeje, IOSCO theksoi suksesin e arritur në përmbushjen e një objektivi ambicioz, të vendosur në vitin 2005, që të gjitha vendet anëtare të kërkonin ta nënshkruanin Memorandumin brenda datës 1 janar 2010.1  

Sot, 96% e 115 enteve rregullatore anëtare të IOSCO-s i përmbushin kërkesat e nevojshme për t’u bërë palë nënshkruese ose janë angazhuar për të bërë ndryshime legjislative, të cilat do t’u japin mundësi ta bëjnë një gjë të tillë.
 
- Nisma për ngritjen e standardeve për bashkëpunimin ndërkufitar

Nisma e Kontaktit e IOSCO-s me anëtarët që nuk kanë shumë rregullim apo që nuk janë bashkëpunues vijon të jetë një prioritet i punës dhe është arritur një progres i ndjeshëm me një sërë anëtarësh të cilët më parë nuk kanë qenë bashkëpunues. Objektivi i kësaj pune është të arrijë secilin prej juridiksioneve të identifikuara për të bërë përmirësime të vërteta në nivel të bashkëpunimit që mund t’u ofrojnë homologëve të tyre të huaj lidhur me shkëmbimin e informacionit.
 
- Raportet e miratuara për botim
 
Gjatë mbledhjeve të tyre, Komiteti Teknik dhe Komiteti i Tregjeve të Reja, finalizuan një sërë raportesh, të cilat do të botohen gjatë javëve në vijim.
 
1  AMF është nënshkruese e MMoU-së me IOSCO-n që prej qershorit 2009.