27 Korrik 2010

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për gjashtëmujorin e parë 2010

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar - qershor 2010 arritën rreth 3,974 milionë lekë, ose 2.15% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar - qershor 2010 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 306,501 duke shënuar një ulje prej rreth 15.44%, krahasuar me janar - qershor 2009. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 90.25% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9.21% dhe aktivitetin e risigurimeve me rreth 0.54%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 49.79% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 50.21% të totalit të tregut.

Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 1,996 milionë lekë, ose rreth 7% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti Sigurim Kufitar gjatë periudhës janar - qershor 2010 pati një rritje prej 13.33% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 15.78% krahasuar me janar - qershor 2009.

Produkti MTPL e brendshme  gjatë periudhës janar - qershor 2010 pati një rritje prej 0.13% për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një rritje prej 2.32% krahasuar me janar - qershor 2009.

Ndërsa produkti Karton Jeshil  pati një ulje me rreth 29.20% për primet e shkruara bruto, krahasuar me janar - qershor 2009 dhe numri i kontratave pati një ulje prej 12.39 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 1,979 milionë lekë, ose 3.74% më shumë se në janar - qershor të vitit 2009, por me rreth 29.82% ulje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të jo-jetës gjatë periudhës janar - qershor 2010 patën rritje me rreth 2.86%  kundrejt periudhës janar - qershor 2009.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,090 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 49.62% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 31.51% .

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' gjatë periudhës janar - qershor 2010 ndihet një rritje prej 5.71% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 13.23% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me muajin janar - qershor 2009.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën janar- qershor 2010 arritën në rreth 199 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 4.06% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 75% të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e jetës në janar - qershor 2010 arritën 366 milionë lekë, ose rreth 7.78% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë muajve janar - qershor 2010 u rritën me rreth 30.48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 861 milionë lekë, apo 85.42% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për këtë lloj sigurimi, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

 

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

Viti

2009

2010

                                                                                  Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

95

109

Karton Jeshil

703

 969

Kasko

95

95


Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor janar - qershor 2010 përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Qershor 2010 (në versionin EXCEL) klikoni këtu 

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Qershor 2010 (në versionin PDF) klikoni këtu