12 Tetor 2010

Mbi publikimin e Raportit të Mbikëqyrjes 2009, të AMF

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, ka kënaqësinë të vërë në dijeni publikun, mbi publikimin e Raportit të Mbikëqyrjes 2009.

Viti 2009 ka qenë një vit i rëndësishëm në drejtim të finalizimit të disa prej projekteve më të rëndësishme të AMF-së për forcimin e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve. Prioritet gjatë këtij viti ka qenë puna intensive për ngritjen e një sistemi të Mbikëqyrjes Efektive si dhe të Sistemit të Manaxhimit të Informacionit, i cili përbëhet nga një platformë raportimi web, nëpërmjet të cilës subjektet e mbikëqyrura raportojnë të dhënat e kërkuara nga Autoriteti në mënyrë elektronike nëpërmjet faqes së internetit.

Në thelb të këtij publikimi është informacioni statistikor-financiar i detajuar dhe tepër i strukturuar. Kështu, përveç testeve IRIS për tregun, të dhënave makro dhe informacionit tekniko-financiar për tregun e Jetës dhe të Jo-Jetës, një vend të rëndësishëm zenë dhe treguesit tekniko-financiarë të disa prej portofoleve me peshë më të rëndësishme me qëllim analizimin e tendencave në vite.

Ky publikim i adresohet një numri të konsiderueshëm përdoruesish, duke filluar që nga vetë operatorët e tregut, investitorët e huaj, analistët e ndryshëm dhe deri për qëllime akademike.

Shpresojmë, që ky publikim t’i përgjigjet nevojave të publikut të gjerë, për informacion dhe t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të transparencës në kuadrin e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve.

Për të lexuar tekstin e plotë të publikimit të Raportit të Mbikëqyrjes 2009, në versionin XLS, mund të klikoni këtu