4 Prill 2023

AMF nxjerr për konsultim publik projektrregulloren në zbatim të Ligjit nr.62/2020 “Për tregjet e kapitalit”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në zbatim të Ligjit nr. 62/2020, datë 14.05.2020 "Për Tregjet e Kapitalit", ka hartuar me asistencë të huaj dhe mbështetje të Bankës Botërore projektrregulloren për “Licencimin dhe funksionimin e platformës shumëpalëshe të tregtimit (PSHT), platformës së organizuar të tregtimit (POT) dhe kërkesat për shoqëritë komisionere që veprojnë si internalizues sistematikë”, e cila është përafruar me një sërë direktivash dhe rregulloresh të Bashkimit Evropian në fushën e tregjeve të kapitalit.

Projektrregullorja publikohet në faqen zyrtare të Autoritetit, për konsultim publik, në linkun e mëposhtëm:

https://amf.gov.al/projekt.asp?id=89

Kjo projektrregullore, krahas tregut të rregulluar apo Bursës, prezanton një kategori të re platformash tregtimi për listimin dhe tregtimin e instrumenteve financiare, sikurse janë Platforma Shumëpalëshe e Tregtimit (PSHT) dhe Platforma e Organizuar e Tregtimit (POT), të njohura në legjislacionin evropian përkatësisht si platformat MTF (Multilateral Trading Facilities) dhe OTF (Organized Trading Facilities).

Projektrregullorja përcakton në mënyrë të detajuar kërkesat dhe procedurat për dhënien e licencës për të operuar një Platformë Shumëpalëshe Tregtimi apo një Platformë të Organizuar Tregtimi si dhe për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të këtyre platformave.

Dokumenti i publikuar për konsultim publik kërkon plotësimin e disa kërkesave nga ana e operatorëve të tregut përpara operimit të këtyre platformave, si një sistem efikas tregtimi; masa për administrimin e rrezikut; të dhëna për anëtarët dhe përdoruesit e mundshëm të sistemit; llojin e instrumenteve financiare që mund të tregtohen brenda sistemit, masat për të mundësuar finalizimin efikas dhe në kohë të transaksioneve të kryera në sistem si dhe burime të mjaftueshme financiare për sigurimin e kësaj veprimtarie.