6 Prill 2023

Miratohet “Strategjia e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare 2023-2027”

Bordi i AMF miratoi me Vendimin nr. 34, datë 31.03.2023 “Strategjinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare 2023-2027”. Ky dokument hartohet në vijim të dokumentit strategjik të AMF-së 2018-2022 dhe paraqet vizionin e Autoritetit për zhvillime të qëndrueshme dhe të sigurta në tregjet nën mbikëqyrje.

Strategjia 2023-2027, përcakton disa prioritete të rëndësishme për zhvillim, për periudhën afatmesme dhe është strukturuar sipas drejtimeve të mëposhtme:

  • Forcimi i stabilitetit financiar, rritja e efektivitetit të mbikëqyrjes dhe integritetit të tregjeve;
  • Përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane, zhvillimi dhe modernizimi i tregjeve;
  • Mbrojtja e interesave të konsumatorit dhe investitorit;
  • Zhvillimi i financimit të gjelbër dhe harmonizimi me praktikat evropiane;
  • Digjitalizimi dhe përmirësimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit.
Autoriteti synon promovimin dhe nxitjen e standardeve të larta për mbrojtjen e konsumatorëve dhe integritetin e të licencuarve, garantimin e stabilitetit të tregut financiar jobankar, si dhe përmirësimin e shkallës së profesionalizmit, nëpërmjet forcimit të vazhdueshëm të rregullimit dhe mbikëqyrjes të tregjeve. Vizioni i Autoritetit është të kontribuojë drejt përafrimit legjislativ dhe rregullator me Bashkimin Evropian, për forcimin e standardeve të tregjeve nën mbikëqyrje, si dhe të lehtësojë ndërlidhjen e tregjeve vendase me ato ndërkombëtare.

Strategjia e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare 2023-2027