13 Prill 2023

AMF nxjerr për konsultim publik setin e projektrregulloreve të tregut të kapitaleve, të përafruara me direktivat evropiane

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në zbatim të Ligjit nr. 62/2020, datë 14.05.2020 "Për Tregjet e Kapitalit" ka hartuar një set projektrregulloresh, të cilat i publikon për konsultim publik.

Këto projektrregullore janë përafruar gjerësisht me legjislacionin dhe direktivat evropiane në tregjet e kapitalit.

Projektrregullorja “Për kriteret e licencimit dhe funksionimit të bursave dhe operatorëve të tregut që vënë në funksion veprimtarinë e një tregu të rregulluar” është hartuar në linjë me Direktivën dhe rregulloren MIFID II/MIFIR si dhe standardet teknike rregullatore të Autoritetit Evropian të Titujve dhe Tregjeve (ESMA). Gjithashtu, projektrregullorja “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së depozitarit qendror të titujve” realizon një përafrim në nivel më të lartë me rregulloren e Bashkimit Evropian për depozitarin qendror të titujve. Projektrregullorja “Për kërkesat e licencimit dhe të funksionimit të shtëpisë së klerimit dhe kundërpalës qendrore”, rregullon për herë të parë veprimtarinë e një kundërpale qendrore, e  njohur si CCP, e cila merr sidomos rëndësi të veçantë në rastin e klerimit/shlyerjes së produkteve derivative.

Në kuptim të ligjit për tregjet e kapitalit, Bursa, Depozitari Qendror i Titujve si dhe shtëpitë e klerimit apo Kundërpala Qendrore (CCP) konsiderohen institucione tregu, për të cilat projektrregullorja “Për kriteret dhe kërkesat e miratimit të shoqërisë audituese të shoqërisë komisionere dhe institucioneve të tregut” vendos kritere për përzgjedhjen dhe miratimin e shoqërisë audituese të këtyre institucioneve.