AMF bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave dhe atë të Arsimit për Strategjinë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bashkëpunon me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në funksion të Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare. Më 20 prill 2023 u zhvillua mbledhja e parë e Komitetit Drejtues të Strategjisë, ku Autoriteti u përfaqësua nga zj. Mimoza Kaçi, Nëndrejtore Ekzekutive.
Në këtë takim u diskutua mbi rëndësinë e edukimit dhe përfshirjes financiare në Shqipëri, veprimet e ndërmarra, si dhe modalitetet për përcaktimin e një kuadri të qartë ndërinstitucional bashkëpunimi për zhvillimin dhe implementimin e aktiviteteve të përbashkëta në funksion të Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare.
Nëndrejtorja Ekzekutive e AMF theksoi se Autoriteti ndër vite ka ndërmarrë një sërë nismash për edukimin financiar dhe do të vijojë aktivitetet edukuese për rritjen e njohurive financiare për tregjet nën mbikëqyrje, si një ndër prioritetet e përcaktuara edhe në Strategjinë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare 2023-2027.
“Edukimi financiar dhe rritja e besimit në tregjet financiare mbështesin përfshirjen financiare të qytetarëve dhe kontribuojnë në rritjen e aksesit në financë. Institucionalizimi dhe koordinimi i të gjitha institucioneve me rol kyç përmes këtij Komiteti Drejtues, përbën një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin mes Autoritetit, Bankës së Shqipërisë dhe ministrive, në funksion të nismave të përbashkëta për rritjen e edukimit dhe përfshirjes financiare në vendin tonë,” u shpreh zj. Mimoza Kaçi.
Zhvillimi dhe implementimi i Strategjisë Kombëtare të Edukimit dhe Përfshirjes Financiare synohet të realizohet përmes një strukture ndërinstitucionale, Komitetit Drejtues të Strategjisë, me përfaqësues të lartë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e strategjisë. Gjithashtu do të krijohen Komitetet e Ekspertëve dhe Grupet institucionale të punës për hartimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e programeve të edukimit.
Shqip
English