25 Prill 2023

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF në Forumin e Klimës së Biznesit

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, z. Ervin Mete, mori pjesë në sesionin e parë të Forumit të Klimës së Biznesit 2023, “Sfidat e rritjes dhe produktiviteti”, ku u diskutua mbi faktorët kryesorë të nxitjes së rritjes dhe produktivitetit në vend, përfshirë aksesin në financim dhe rolin e sektorit financiar në këtë drejtim, për të rritur konvergjencën me vendet e Bashkimit Evropian.
 
Z. Mete u shpreh se zgjerimi i aksesit në financë dhe alokimi eficient i kapitalit është faktor shumë i rëndësishëm për rritjen dhe produktivitetin. Diversifikimi i sistemit financiar, përmes zgjerimit të tregjeve të kapitalit, krijon më shumë mundësi dhe ofron më tepër likuiditet për sipërmarrjet, duke kontribuar në rritjen e produktivitetit, si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.  

AMF ka ndërmarrë një harmonizim të kuadrit ligjor e rregullator në tregjet e kapitalit dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive me direktivat evropiane, proces i vlerësuar nga Komisioni Evropian në Raportet e Progresit. Në linjë me rregullimet evropiane, aktet e reja kanë diversifikuar shërbimet e investimit, si edhe kanë zgjeruar mundësitë e ndërlidhjes me tregjet ndërkombëtare.

Panelistë të sesionit të parë ishin z. Emanuel Salinas, Menaxher i Bankës Botërore për Shqipërinë, Znj. Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociator, znj. Sonja Kurz, Drejtuese e GIZ Shqipëri, si edhe përfaqësues të bizneseve dhe dhomave të tregtisë.