27 Prill 2023

Miratohet Dokumenti Politik “Për Krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”

Këshilli i Ministrave ka miratuar Dokumentin Politik “Për Krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Dokumenti analizon situatën e tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe infrastrukturën e tij, duke propozuar ndërmarrjen e planeve konkrete të veprimit për zhvillimin e tregut të kapitaleve përgjatë një periudhe 5-vjeçare.

Objektivi i përgjithshëm është promovimi i tregjeve eficiente të kapitalit nëpërmjet nxitjes së zhvillimit të këtyre tregjeve dhe mbikëqyrjes efektive të tyre. Për arritjen e këtij objektivi, Dokumenti Politik merr në konsideratë një sërë faktorësh, si: përcaktimi i kushteve paraprake të zhvillimit të tregut, adresimi i sfidave dhe problematikave, identifikimi i prioriteteve për zhvillimin e tregut të kapitaleve, bashkëpunimi mes institucioneve me rol kyç për zhvillimin e këtij tregu, sigurimi i mbikëqyrjes efektive, si edhe përcaktimi i planeve të veprimit sipas prioriteteve të vendosura.  

Objektivat kryesorë strategjikë të dokumentit janë: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve të Qeverisë. Bazuar në këto objektiva, në dokument parashikohen masa dhe veprime konkrete për arritjen e tyre.    

Dokumenti Politik “Për Krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”