30 Maj 2023

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv prezanton Raportin Vjetor të AMF-së për vitin 2022 në Komisionin për Ekonominë dhe Financat

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Z. Ervin Mete prezantoi sot, më 30 maj 2023, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin Vjetor të AMF për vitin 2022. Z. Mete bëri një pasqyrim të zhvillimeve kryesore të vitit të kaluar, si edhe paraqiti disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet veprimtaria e Autoritetit për periudhën në vazhdim.   

Në fillim të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi se viti 2022 ka pasur zhvillime të rëndësishme në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, si edhe në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjatë takimeve Bilaterale, ekspertët e Komisionit Evropian vlerësuan progresin e bërë në kuadër të përafrimit me Direktivat Evropiane dhe angazhimet e marra për plotësimin e rekomandimeve në Kapitullin 9, të drejtuar nga Autoriteti.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv evidentoi avancimin domethënës të Autoritetit në vlerësimin e bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) mbi përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare. Në raportin e grupit të vlerësimit, rezulton se niveli i përputhshmërisë është rritur në 77.9%, krahasuar me 47.4% që ishte mesatarisht në vlerësimin e fundit që është bërë nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitin 2014. Në vitin 2022, AMF u bë rregullatori i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që aderon në Memorandumin Shumëpalësh të Mirëkuptimit të IAIS për shkëmbim informacioni dhe mbikëqyrje efektive në sigurime.  

Sa i përket ecurisë së tregjeve nën mbikëqyrje,  z. Mete u shpreh se në fund të vitit 2022, në tregun e sigurimeve, dëmet e paguara në numër ishin në nivelin më të lartë historik. Pagesat e  dëmeve sollën një ulje të ndjeshme të numrit të dëmeve pezull, të cilat arritën në 13.4% të gjithë dëmeve të trajtuara nga shoqëritë e sigurimit, shifra më e ulët historike. Referuar impaktit të ligjit të ri të sigurimit të detyrueshëm motorik, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv përmendi uljen e mëtejshme të komisioneve të ndërmjetësimit deri në një mesatare prej 16%, daljen e Byrosë së Sigurimeve nga monitorimi 10-vjeçar i Këshillit të Byrove, kryesisht si pasojë e përmirësimeve ligjore, pagesën e dëmeve Fond Kompensimi në rreth 87% të rasteve përmes siguruesit të drejtpërdrejtë me procedura më të përshpejtuara, si edhe përdorimin në rreth 23% të rasteve të dëmeve të Raportit Evropian të Aksidenteve.  

Në lidhje me zhvillimet në tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u shpreh se të dhënat e muajve të parë të vitit 2023 tregojnë se fondet e investimit i janë rikthyer rritjes, pas ndikimeve të vitit të kaluar, të ardhura kryesisht si pasojë e zhvillimeve të tregjeve ndërkombëtare dhe rritjes së normës bazë të interesit. Investimet u orientuan drejt titujve të Qeverisë, ku gjatë vitit 2022 blerjet e individëve arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë.

Në tregjet e kapitalit, z. Mete veçoi emetimin e parë me ofertë publike të një shoqërie tregtare në Bursë si një moment të rëndësishëm, i cili mund t’i hapë rrugën edhe emetimeve të tjera në të ardhmen. Zgjerimi i shërbimeve të investimit të subjekteve që operojnë në tregun e kapitaleve, si edhe rritja e mëtejshme e emetimit të obligacioneve me ofertë private janë sinjale pozitive për zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu.   
 
Në fund të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv përmendi disa nga drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit përgjatë këtij viti dhe në vazhdim, bazuar edhe në strategjinë 5-vjeçare të AMF, me fokus përafrimin ligjor me kuadrin evropian, ndërmarrjen e nismave në kuadër të financave të gjelbra, avancimin e mëtejshëm në standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në mbikëqyrje, etj.   

Për të lexuar të plotë fjalën në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, lutem klikoni këtu.