10 Nentor 2023

Mbi hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 76/2023 “Për fondet e pensionit privat”

Ligji për “Për fondet e pensionit privat”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, hyri në fuqi më 6 nëntor 2023. Ky ligj, përmirëson bazën ligjore të tregut të fondeve të pensioneve private, duke e përafruar atë me Direktivën 2016/2341/KE “Për veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e Institucioneve të Pensionit Profesional”, IORP II. Hartimi i tij është pjesë e zbatimit të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian për periudhën 2021-2024.

Mbrojtja e interesave të anëtarëve të fondit të pensionit privat, si edhe nxitja e pjesëmarrjes në skemën e pensionit privat, janë ndër synimet kryesore të këtij ligji.

Një nga risitë e këtij ligji është krijimi i formave të reja të fondeve të pensionit me qëllim nxitjen e pjesëmarrjes në këto fonde. Ligji për herë të parë njeh edhe formën e fondit të pensionit me pjesëmarrje të mbyllur. Fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të krijohet nga një punëdhënës, disa punëdhënës, ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, bashkime sindikatash apo shoqatë, në cilësinë e sponsorit të cilët krijojnë një fond pensioni me pjesëmarrje të mbyllur. Krahas saj është edhe fondi me pjesëmarrje të hapur, i cili ka qenë edhe në ligjin e mëparshëm, që krijohet nga shoqëria administruese dhe nuk parashikon kufizime në anëtarësim.

Ndër risitë e tjera që sjell ligji është edhe vendosja e kërkesave më të larta për transparencë ndaj anëtarëve të fondeve të pensionit privat, përcaktimi i kërkesave shtesë për qeverisjen e shoqërisë administruese, parashikimi i lehtësive fiskale për anëtarët e fondeve të pensionit privat, si edhe ulja e komisionit vjetor të administrimit të aktiveve të fondit, i cili nuk duhet të kalojë në asnjë rast 2.5% në vit, të vlerës neto të aktiveve të fondit të pensionit privat.

Ligji i ri parashikon edhe rregullime që lidhen me marketingun dhe veprimtarinë promovuese të fondit të pensionit privat, duke i bërë këto fonde më shumë të njohura për individët dhe punëdhënësit që duan të kontribuojnë për punëmarrësit e tyre.

Ligji “Për fondet e pensionit privat”, ofron alternativa për krijimin e një portofoli investimi më të diversifikuar për anëtarin, duke bërë të mundur rritjen e kthimit nga investimi, si edhe lejon që për herë të parë, në politikat e investimit për fondet e pensionit privat të merren në konsideratë faktorët mjedisorë, shoqërorë dhe qeverisës të shoqërisë.

Ligji, gjithashtu, krijon kushte për ofrimin e shërbimeve ndërkufitare si një ndër kërkesat e Direktivës IORP II, kur Shqipëria të bëhet vend anëtar i Bashkimit Evropian.