
Projekt i asistencës teknike për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare nga Departamenti Amerikan i Thesarit
Në kuadër të projektit të asistencës teknike për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare nga Departamenti Amerikan i Thesarit, ekspertët e projektit zhvilluan vizitën e tyre të parë në Autoritet. Ata zhvilluan një sërë takimesh me përfaqësues të Autoritetit, të institucioneve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe me grupe të tjera të interesit. Në këto takime, ekspertët e Zyrës së Asistencës Teknike (OTA) vlerësuan harmonizimin e kuadrit ligjor e rregullator të tregjeve nën mbikëqyrjen e AMF-së me direktivat e Bashkimit Evropian, si edhe me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, si parakusht për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre tregjeve.
Asistenca teknike fokusohet në dy drejtime kryesore: në fushën e sigurimeve dhe në atë të tregjeve të kapitalit. Në tregun e sigurimeve, asistenca synon forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse, përmirësimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit, rritjen e standardeve për mbrojtjen ndaj rreziqeve kibernetike, si dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve për produktet dhe shërbimet financiare.
Në fushën e tregjeve të kapitalit, po vlerësohet mundësia për të ofruar mbështetje teknike me qëllim nxitjen e emetimit të instrumenteve të borxhit nga kompanitë me kapital shtetëror, apo njësitë e qeverisjes vendore, për të financuar projektet e tyre të zhvillimit. Ky është hapi i parë drejt një projekti ku Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të bashkëpunojnë në zbatim të Dokumentit Politik “Për Krijimin e një Mjedisi Mundësues për Zhvillimin e Tregjeve të Kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”, miratuar me Vendimin Nr. 266, datë 27.04.2023 të Këshillit të Ministrave, si edhe Strategjisë së AMF-së 2023-2027.