22 Nentor 2023

Takim me përfaqësues të lartë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për asistencë teknike në fushën e tregjeve të kapitalit

Drejtorja Ekzekutive në detyrë e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Zj. Mimoza Kaçi zhvilloi sot një takim pune me ekipin e departamentit për zhvillimin e tregjeve financiare dhe të kapitalit pranë Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), z. Alex Pivovarsky. Ai u shoqërua nga Zj. Ekaterina Solovova, përfaqësuese e zyrës së BERZH në Shqipëri. Në takim u diskutua mbi prioritetet e Autoritetit dhe mundësitë e bashkëpunimit me BERZH, përmes mbështetjes teknike për zhvillimin të tregjeve të kapitalit në vend.

Zj. Kaçi pasqyroi zhvillimet në tregjet e kapitalit, plotësimin e kuadrit ligjor e rregullator dhe harmonizimin e tij me direktivat e Bashkimit Evropian. Ajo vlerësoi gatishmërinë e BERZH për ofrimin e ekspertizës në mbështetje të zhvillimit të tregjeve të kapitalit, me synim rritjen e pjesëmarrjes së emetuesve në tregjet e kapitalit, zgjerimin e gamës së produkteve financiare dhe diversifikimin e bazës së investitorit. Mbështetja teknike përkon me objektivat e AMF-së në zbatim të dokumentit politik për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Ajo do t’i shërbejë zbatimit të prioriteteve të AMF-së, parashikuar në “Strategjinë e Autoritetit 2023-2027”, si edhe angazhimeve të marra nga Shqipëria në kuadër të negociatave për kapitullit 9 “Shërbimet Financiare”, që kryesohet nga AMF.