17 Janar 2024

Takim i anëtarëve të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare  zhvilloi sot takim me anëtarët e Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE) në kuadër të negociatave për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”. Pjesëmarrës në takim ishin institucionet anëtare të PPIE, përfaqësues nga shoqatat e siguruesve, të fondeve të investimit dhe pensionit privat, shoqata e Bankave, shoqata e aktuarëve, përfaqësues nga Këshilli i Investimeve, akademikë, ekspertë të tregjeve financiare, si dhe përfaqësues të medias.

Duke hapur këtë takim Zj. Mimoza Kaçi, Drejtore Ekzekutive në detyrë e Autoritetit, në cilësinë e negociatorit të Kapitullit 9 “Shërbimet financiare”, prezantoi nismat ligjore, pjesë e Programit Kombëtar për Aderimin në Bashkimin Evropian (PKABE) 2024-2030 dhe të Planit Kombëtar të Integrimit Evropian (PKIE) 2024-2026. Në takim u diskutua  mbi progresin  e arritur në Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, i cili e vendos Shqipërinë përpara gjithë vendeve të tjera të rajonit në këtë fushë, referuar gjetjeve të Progres Raportit 2023, të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Anëtarët e Platformës së Partneritetit vlerësuan organizimin e tryezës së diskutimit dhe këshillimit, në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ata shprehën gatishmërinë për vijimin e bashkëpunimit dhe kontributin e tyre, me qëllim avancimin drejt përafrimit të mëtejshëm të akteve ligjore dhe rregullatore, me acquis të Bashkimit Evropian.  


 

Image 1
Image 1
Image 1