28 Shkurt 2024

Fillon zbatimi i udhërrëfyesit për regjimin e mbikëqyrjes në sigurime, Solvency II

 
Në datën 28 shkurt 2024, nisi trajnimi i parë në zbatim të udhërrëfyesit për regjimin mbikëqyrës në fushën e sigurimeve, njohur si Solvency II. Në këtë aktivitet tre ditor marrin pjesë rreth 40 pjesëmarrës, nga Autoriteti dhe kompanitë e sigurimit që operojnë në Shqipëri.
 
Workshopi organizohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me Bankën Botërore, në kuadër të Projektit të “Qëndrueshmërisë dhe Zhvillimit Financiar në Shqipëri”. Ky projekt, ku Autoriteti është një nga përfituesit kryesorë, mbështetet nga Programi global “Financë për Zhvillim” i Bankës Botërore, dhe nga SECO e qeverisë Zvicerane.
 
Ky workshop shënon aktivitetin e parë, në kuadër të zbatimit të udhërrëfyesit për implementimin e regjimit Solvency II. Implementimi i regjimit të ri mbikëqyrës në sigurime, parashikohet për një periudhë 7 vjecare me qëllim që të sigurohet një tranzicionin gradual dhe i qëndrueshëm për shoqëritë e sigurimit.
 
Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive, Zj. Mimoza Kaçi, vlerësoi këtë aktivitet si një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së efektivitetit të mbikëqyrjes në tregun e sigurimeve. Ajo theksoi se "përafrimi i legjislacionit tonë me standardet europiane dhe integrimi në BE janë shtyllat kyçe të strategjisë së Autoritetit për zhvillimin afatmesëm të sektorit të sigurimeve. Zbatimi i regjimit Solvency II kërkon angazhim të përbashkët dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me kompanitë e sigurimit ". Gjithashtu, Zj. Kaçi vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm, tashmë gati 10 vjeçar, të Autoritetit me Bankën Botërore dhe SECO-n, për forcimin e kapaciteteve dhe për zhvillimin e një kuadri ligjor dhe mbikëqyrës modern, në përputhje me direktivat e BE, për sektorët e tregjeve të kapitalit, sigurimeve dhe pensioneve. 
 
Regjimi mbikëqyrës Solvency II pritet të sjellë ndryshime të konsiderueshme në përqasjen e administrimit të rrezikut nga ana e shoqërive të sigurimit, duke mundësuar përballimin e risqeve të paparashikuara dhe zhvillimin potencial në një treg më të gjerë.
Ky workshop, do të pasohet nga një seri aktivitetesh në vijim, të cilat do të mbështeten nga asistenca teknike e Bankës Botërore për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
 
    Image 1
    Image 1