26 Prill 2024

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së merr pjesë në prezantimin e fondit më të ri të investimeve

Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Zj. Mimoza Kaçi, mori pjesë në eventin e prezantimit të fondit të qëndrueshëm “Raiffeisen Solid”, nga shoqëria administruese Raiffeisen Invest. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, zj. Kaçi theksoi se ky fond me një stukturë të re investimi të njohur si Master-Feeder, licencuar nga Autoriteti, përfaqëson një nga zhvillimet më të fundit dhe inovatore në industrinë shqiptare të fondeve të investimeve. Fondi gjithashtu integron faktorë mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes (ESG) në strategjinë e tij duke ofruar modele investimi të përgjegjshme dhe të qëndrueshme dhe shenjon një hap të rëndësishëm për zgjerimin e mundësive të investimit për qytetarët dhe investitorët shqiptarë.

“Zhvillime të tilla dëshmojnë se ekosistemi financiar shqiptar, dhe në veçanti tregu i sipërmarrjeve të investimeve kolektive po bëhet atraktiv për fondet e huaja të investimit, ku vihet re një interes në rritje për ofrimin e produkteve të reja në tregun tonë” - u shpreh Drejtorja e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së.   

Autoriteti i ka paraprirë kurbës së dinamikave të zhvillimit të tregut të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, përmes mbikëqyrjes së kujdesshme dhe krijimit të një kuadri të përshtatshëm ligjor dhe rregullator të përafruar me direktivat dhe rregulloret e BE-së. Mbrojtja e investitorëve është një nga prioritetet kryesore të punës së Autoritetit.  
 

 
Image 1
   
Image 3