3 Maj 2024

Bashkëpunim midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe BERZH për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse

Pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare u prezantua nisja e programit të trajnimit me fokus “Tregjet e Kapitalit”, të ofruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Eventi u përshëndet nga Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, znj. Mimoza Kaçi dhe nga Drejtoresha e BERZH për Shqipërinë, Zj. Ekaterina Solovova. 

Në fjalën e saj të hapjes znj. Kaçi theksoi rëndësinë e rritjes së mëtejshme të kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit dhe u shpreh se ky program trajnimi zhvillohet në momentin e duhur, pasi Këshilli i Ministrave vitin e kaluar miratoi dokumentin e politikave për zhvillimin e tregjeve të kapitalit. Këto tregje janë shtyllë e rëndësishme e sistemit financiar, që ndihmojnë në kanalizimin e kursimeve drejt investimeve produktive.

Në këtë program një vjeçar do të trajnohen rreth 25 punonjës të Autoritetit, pjesë e stafit të mbikëqyrjes së tregjeve. Programi përbëhet nga 11 module trajnimi, të cilat përfshijnë një sërë tematikash, që nga metodat për administrimin e rrezikut, llojet e instrumenteve financiare, format e investimit, deri në module mbi risitë teknologjike në fushën e shërbimeve financiare si Blockchain, Fintech apo edhe financat e gjelbra dhe faktorët ESG në investime.

Znj. Kaçi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që BERZH i jep Autoritetit, si dhe bindjen për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit në mbështetje të zhvillimit dhe modernizimit të tregjeve financiare.
 
 
Image 1