15 Maj 2024

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv prezanton Raportin Vjetor të AMF-së për vitin 2023 në Komisionin për Ekonominë dhe Financat

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Znj. Mimoza Kaçi prezantoi sot, më 15 maj 2024, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Raportin mbi veprimtarinë e Autoritetit për vitin 2023. Znj. Kaçi bëri një pasqyrim të ecurisë së tregjeve nën mbikëqyrje, zhvillimeve kryesore të vitit të kaluar, si edhe paraqiti disa nga drejtimet kryesore ku do të përqendrohet veprimtaria e Autoritetit për periudhën në vazhdim.
 
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv theksoi rëndësinë e miratimit të dokumentit të strategjisë institucionale të Autoritetit për periudhën 2023-2027, si një udhërrëfyes i rëndësishëm në përcaktimin e objektivave dhe prioriteteve strategjike të AMF-së. Në fjalën e saj znj. Kaçi evidentoi se gjatë vitit 2023 tregjet nën mbikëqyrje ecën në një trajektore të stabilizuar zhvillimi dhe rritje, me tregues të mirë të shëndetit financiar, ku totali i aseteve arriti vlerën prej rreth 108 miliardë lekë ose 12% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Znj. Kaçi e cilësoi të suksesshëm vitin 2023, i cili shënoi progres në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke përfunduar me sukses procesin e screening, në të cilin AMF drejtoi Kapitullin 9 "Shërbimet financiare". Në Progres Raportin e Komisionit të BE për Kapitullin 9, Shqipëria shfaqet më e përparuar krahasuar me vendet që kanë hapur negociatat e anëtarësimit më herët.

Përgjatë vitit të kaluar është avancuar drejt përafrimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullotor me direktivat evropiane, duke përfshirë miratimin e Ligjit “Për fondet e pensionit privat” të përafruar me direktivën evropiane IORP II, i cili pritet të ndikojë  në zgjerimin e tregut të fondeve të pensionit privat në vend. Gjithashtu, aktet nënligjore të miratuara në fushën e tregjeve të kapitalit  rrisin transparencën dhe integritetin e tregut. Miratimi i rregulloreve për fondet e investimeve ka krijuar mundësi të reja për qytetarët shqiptarë që të investojnë në fonde të licencuara në një vend anëtar të BE-së.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv evidentoi avancimin domethënës të Autoritetit në vlerësimin e bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) mbi përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare në sigurime. Në vitin 2023, Autoriteti thelloi bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare dhe rregullatorët homologë, si dhe ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi me Autoritetin Austriak të Mbikëqyrjes Financiare (FMA) dhe atë të Luksemburg (CSSF). Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv përfshiu edhe nismat që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ndërmarrë në vitin 2023 për zhvillimin e tregjeve nën mbikëqyrje dhe rritjen e nivelit të edukimit financiar.

Në përfundim të fjalës së saj, Znj. Kaçi nënvizoi drejtimet kryesore të veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin në vijim, të cilat bazohen në dokumentin “Strategjia 2023-2027”. Në fokus do të jenë kontributi i mëtejshëm në forcimin e stabilitetit financiar, përafrimi ligjor dhe rregullator me acquis të BE, mbështetja e zhvillimit, modernizimin dhe digjitalizimit të tregjeve, si dhe ndërmarrja e nismave për financat e gjelbra. Në vitin 2025, Shqipëria do të jetë vendi pritës i Konferencës Vjetore të IAIS, aktiviteti më i rëndësishëm vjetor i sektorit të sigurimeve në nivel global.