20 Maj 2024

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv takon Misionin e Bankës Botërore

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi zhvilloi një takim me ekspertë të nivelit të lartë të sektorit financiar të Bankës Botërore. Takimi u mbajt në kuadër të projektit të asistencës teknike mbi qëndrueshmërinë financiare, zhvillimin dhe aksesin në financa të gjelbra dhe inovative, përmes të cilit Banka Botërore mbështet institucionet kombëtare, përfshirë AMF-në.

Diskutimet gjatë takimit, u fokusuan në zhvillimin e sigurimit në bujqësi, financat e gjelbra dhe format inovative të financimit, bazuar në teknologjinë e informacionit. Ekspertët e Bankës Botërore vlerësuan potencialin e sigurimit të bujqësisë në vend, sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e sigurimeve në këtë sektor. Gjithashtu, u theksua rëndësia e përfshirjes dhe roli i AMF-së, për të kontribuar me ekspertizë teknike në këtë projekt. Diskutimet u fokusuan edhe në rritjen e aksesit për të mbështetur me financim start-up-et dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes crowdfunding.

Në përfundim të takimit, znj. Kaçi shprehu gatishmërinë e AMF-së për të kontribuar në avancimin e projekteve të asistencës teknike. Gjithashtu u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Bankës Botërore dhe bashkëpunimi i deritanishëm në drejtim të zhvillimit të tregjeve financiare jo bankare dhe forcimit të mbikëqyrjes së tyre.