AMF zhvilloi analizën e punës së 6-mujorit të parë të vitit 2024
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) zhvilloi analizën e punës për 6-mujorin e parë të vitit 2024, duke përcaktuar objektivat dhe piketat e veprimtarisë për pjesën e mbetur të vitit. Analiza u bazua në dy dokumente udhërrëfyese kryesore të Autoritetit: "Plani i Punës 2024" dhe "Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë".
Takimi u drejtua nga znj. Mimoza Kaçi, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, ku drejtues të departamenteve e drejtorive të institucionit prezantuan punën dhe arritjet për 6-mujorin e parë të vitit 2024, si dhe prioritetet për muajt në vazhdim.
Znj. Kaçi theksoi rëndësinë e kësaj analize si katalizator për përmirësimin e vazhdueshëm të performancës institucionale. Ajo theksoi se “çdo vendim që marrim, çdo rregullore që hartojmë, monitorimi i vazhdueshëm dhe mbikëqyrja që ushtrojmë, ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe investitorëve shqiptarë. Kjo përgjegjësi duhet të na udhëheqë në punën tonë”.
Në përmbyllje të tryezës së diskutimit, znj. Kaçi vijoi: "Tregu financiar zhvillohet me ritme të shpejta dhe ne duhet të jemi në pararojë të këtyre ndryshimeve, jo thjesht si reagues ndaj tyre, por me qëllim kryesor garantimin e stabilitetit, transparencës dhe besueshmërisë në tregjet financiare jo-bankare në vend”.
Shqip
English