29 Korrik 2024

Drejtues të lartë të Bankës Qendrore të Kosovës zhvillojnë një vizitë zyrtare në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare

Një delegacion i nivelit të lartë drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) zhvilloi një vizitë zyrtare në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, znj. Mimoza Kaçi mirëpriti delegacionin e BQK-së, i cili kryesohej nga zëvendësguvernatori zoti Milot Cakaj. Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet kryesore në tregun financiar jo-bankar, duke përfshirë ndryshimet në kornizën ligjore dhe rregullatore si dhe shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira mbikëqyrëse.

Takimi u fokusua në tema me interes të përbashkët, duke përfshirë qasjen ndaj reformave që lidhen me IFRS 17, implementimin e regjimit mbikëqyrës Solvency II në sektorin e sigurimeve, etj. Përfaqësuesit e BQK-së shprehën interes të veçantë për përvojën e AMF-së në fushën e tregut të kapitaleve dhe u diskutua lidhur me bashkëpunimin dhe shkëmbimin e eksperiencave mes dy institucioneve.

Ky takim zhvillohet në vijim të vizitës që znj. Kaçi zhvilloi në Bankën Qendrore të Kosovës në shkurt të këtij viti, duke dëshmuar për marrëdhëniet e ngushta dhe forcimin e bashkëpunimit mes Autoritetit dhe BQK, me qëllim rregullimin dhe mbikëqyrjen efektive të tregjeve financiare të dy vendeve.