25 Tetor 2010

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për periudhën Janar – Shtator 2010


Të ardhurat nga primet e sigurimit, në periudhën janar - shtator 2010 arritën rreth 6,243 milionë lekë, ose 1.19% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjatë periudhës janar - shtator 2010  numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 516,888 duke shënuar një ulje prej rreth 11.67%, krahasuar me janar - shtator 2009. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 90% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 9% dhe aktivitetin e risigurimeve me rreth 1%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 47.71% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 52.29% të totalit të tregut




Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorrike arritën shifrën 3,265 milionë lekë, ose rreth 2.16% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Produkti Sigurim Kufitar gjatë periudhës janar - shtator 2010 pati një rritje prej 7.06% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 7.69% krahasuar me janar - shtator 2009.

Produkti MTPL e brendshme  gjatë periudhës janar - shtator 2010 pati një rritje prej 8.01 % për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një rritje prej 7.01% krahasuar me janar - shtator 2009.

Ndërsa produkti Karton Jeshil pati një ulje me rreth 29.03% për primet e shkruara bruto, krahasuar me janar - shtator 2009 dhe numri i kontratave pati një ulje prej 7.96% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit 2009.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 2,978 milione lekë, ose 5% më shumë se në  janar - shtator të vitit 2009, por me rreth 29.03 % ulje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë periudhës janar - shtator 2010  patën rritje me rreth 3.94%  kundrejt periudhës Janar - shtator 2009.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,603 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 41.95% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 26.57% .

Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' gjatë periudhës janar - shtator 2010 ndihet një rritje prej 3.27% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 18.03% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me muajin janar - shtator 2009.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në periudhën janar - shtator 2010  arritën në rreth 293 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 1.46% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 76.97 % të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e Jetës në janar - shtator 2010 arritën 587 milionë lekë, ose rreth 10.30% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë muajve janar - shtator 2010 u rritën me rreth 28.27% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorrike me 1,361 milionë lekë, apo 87.52% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqënëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për këtë lloj sigurimi, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

janar - shtator

2009

2010

                                                                                   Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

100

113

Karton Jeshil

656

1079

Kasko

100

91



Për çdo të interesuar, Raporti Mujor Statistikor janar - shtator 2010 përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit etj.

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Shtator 2010 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Shtator 2010 (në versionin PDF) klikoni këtu