Vizitë zyrtare e Drejtoreshës së Përgjithshme të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Bankën Intesa Sanpaolo, Itali
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, zonja Mimoza Kaçi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Itali, gjatë së cilës u takua me drejtues të lartë të grupit Intesa Sanpaolo. Gjatë takimeve, zonja Kaçi u prit nga Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Grupit Intesa Sanpaolo, zoti Gian Maria Gros-Pietro, si dhe drejtues të lartë të Divizionit Ndërkombëtar të Bankave të Huaja dhe të Eurizon SRG.
Diskutimet u përqendruan në mundësitë e bashkëpunimit në nisma të edukimit financiar dhe në tendencat aktuale të tregjeve dhe mundësitë e aplikimit të inovacionit dhe teknologjisë në fushën financiare. Vizita në Muzeun e Kursimeve të Bankës Intesa Sanpaolo ofroi një perspektivë të rëndësishme mbi historinë dhe rëndësinë e edukimit financiar, një fushë me prioritet për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare.
Duke vlerësuar prezencën e kapitalit italian në tregun financiar shqiptar, zonja Kaçi theksoi: "Kjo vizitë ishte jashtëzakonisht produktive dhe na ofroi mundësi të shkëlqyera për të forcuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Eksperienca e grupit Intesa Sanpaolo përbën një vlerë të shtuar në avancimin cilësor të punës sonë për edukimin financiar".
Kjo vizitë është një hap i rëndësishëm në angazhimin e Autoritetit për të sjellë praktikat më të mira evropiane në tregun financiar shqiptar.
Shqip
English