20 Shtator 2024

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mbështet Edicionin e katërt të "Stock Market Learning Competition Game"

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi, mori pjesë në ceremoninë hapëse të edicionit të katërt të "Stock Market Learning Competition Game". Ky projekt inovativ është iniciativë e German Sparkassenstiftung for International Cooperation dhe realizohet me mbështetjen e vazhdueshme të Autoritetit.

Në fjalën e saj, znj. Kaçi theksoi: "Edukimi financiar mbetet një nga prioritetet tona, në përputhje me Strategjinë e Autoritetit për Edukim dhe Përfshirje Financiare 2023-2027. Ky projekt u ofron të rinjve mundësinë të mendojnë në mënyrë kritike, të veprojnë strategjikisht dhe të fitojnë një kuptueshmëri më të thellë të dinamikave në tregjet financiare." Znj. Kaçi vuri në dukje angazhimin e Autoritetit për të rritur njohuritë financiare të publikut, për të forcuar besimin në institucionet financiare dhe për t'i pajisur qytetarët me informacionin e nevojshëm për vendimmarrje financiare të shëndosha.  

Konkursi, bazuar në metodologjinë "learning by doing", ofron një platformë virtuale tregtimi në bursë ku pjesëmarrësit përdorin fonde virtuale për të tregtuar tituj të ndryshëm, duke fituar njohuri praktike mbi funksionimin e tregjeve financiare. Edicioni i këtij viti vjen me zgjerimin e pjesëmarrjes ndërkombëtare me studentë nga universitete të rajonit, si dhe përfshirjen e skuadrave nga bankat tregtare vendase.