25 Shtator 2024

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, pjesë e panelit rajonal në konferencën ndërkombëtare për tregjet financiare

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi, mori pjesë në panelin rajonal për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, në konferencën ndërkombëtare me fokus tregjet financiare, zhvilluar më 24-25 shtator 2024 në Podgoricë. Ky event mblodhi së bashku, politikëbërës, përfaqësues të nivelit të lartë të autoriteteve rregullatore dhe tregjeve financiare nga rajoni e më gjerë, si dhe ekspertë të industrisë financiare, për të diskutuar mbi trendet aktuale, sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre tregjeve.  Znj. Kaçi dhe drejtuesit e autoriteteve homologe të vendeve te rajonit, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kroacia diskutuan mbi zhvillimet e ardhshme të tregjeve të kapitalit në rajon.   

Znj. Kaçi ndau me audiencën progresin dhe transformimin e tregjeve financiare në Shqipëri dhe theksoi veçanërisht rolin e Autoritetit në forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator si dhe iniciativat e ndërmarra në zbatim të dokumentit të politikave për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, miratuar nga Qeveria Shqiptare vitin e kaluar. Gjithashtu ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm të tregjeve të kapitalit, gjë që i shërben nxitjes së likuiditetit dhe investimeve të huaja në rajon.

Konferenca, organizuar nga Autoriteti i Tregut të Kapitaleve të Malit të Zi, në bashkëpunim me Bankën Qendrore, Ministrinë e Financave dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve të Malit të Zi, shërbeu si një platformë për dialog dhe bashkëpunim rajonal në drejtim të integrimit dhe forcimit të tregjeve financiare në Ballkanin Perëndimor.