14 Tetor 2024

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, pjesë e panelit hapës të programit prestigjioz të trajnimit organizuar nga Toronto Center në bashkëpunim me IOSCO

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, znj. Mimoza Kaçi, mori pjesë si folëse në panelin hapës të programit prestigjioz të trajnimit “TC-IOSCO Risk Based Supervision for Securities Regulators". Ky event ndërkombëtar organizohet nga Toronto Centre, një institucion global i njohur për programet e forcimin e kapaciteteve të rregullatorëve dhe mbikëqyrësve të tregjeve financiare, në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO), ku Autoriteti është anëtar me të drejta të plota.

Këtë vit, programi që po zhvillohet nga 14-18 Tetor në format virtual ka si grup të synuar stafin e rregullatorëve nga rajoni dhe më gjerë të përfshirë në mbikëqyrjen e tregjeve të kapitalit. Synimi është të njohë pjesëmarrësit me praktikat më të mira ndërkombëtare për një mbikëqyrje efektive të këtyre tregjeve.

Në panelin me temë "Rregullimi dhe mbikëqyrja e tregut të titujve në rajon - sfida dhe zgjidhje të mundshme", krahas përfaqësuesve të lartë të Autoriteteve homologe nga Gjeorgjia dhe Maqedonia e Veriut, Znj. Kaçi ndau përvojën e AMF mbi avantazhet e zbatimit të metodologjisë me bazë rreziku, sfidat e hasura gjatë implementimit dhe adresimin e tyre. "Kalimi drejt metodologjisë me bazë rreziku - u shpreh në fjalën e saj znj. Kaçi - reflekton angazhimin tonë për përmirësimin e administrimit të rreziqeve, forcimin e mbikëqyrjes së tregjeve dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar, ndërsa ky i fundit bëhet gjithnjë e më shumë dinamik dhe kompleks."

Bashkëpunimi me organizmat ndërkombëtare ka qenë çelës suksesi dhe ka luajtur rol kyç në rrugëtimin e Autoritetit drejt kalimit në metodologjinë mbikëqyrëse me bazë rreziku, përmes shkëmbimit të njohurive dhe adoptimit të praktikave më të mira, duke siguruar përafrimin me standartet evropiane të mbikëqyrjes.