28 Tetor 2024

Nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim dhe shkëmbim të informacionit ndërmjet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bordit të Mbikëqyrjes Publike

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me Bordin e Mbikëqyrjes Publike.  Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, znj. Mimoza Kaçi dhe Kryetari i BMP-së, z. Dritan Fino, në praninë e përfaqësuesve të të dy institucioneve. Kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional përmes shkëmbimit të informacionit në fushën e mbikëqyrjes së auditimit ligjor, lidhur me sigurimin e cilësisë së standardeve të audituesve ligjorë, rezultateve të procesit të kontrollit dhe përmirësimit të nivelit të sigurisë nga auditimet ligjore.

Marrëveshja shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet Autoritetit dhe Bordit të Mbikëqyrjes Publike për një mbikëqyrje më efektive të tregut financiar jobankar dhe profesionit të auditimit ligjor, drejt një sistemi financiar të qëndrueshëm, të besueshëm dhe transparent.