Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bordit të Mbikëqyrjes Publike
Në datën 3 Nëntor 2010, në ambientet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, u zhvillua Ceremonia e Nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit midis Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Bordit të Mbikëqyrjes Publike.
Nënshkrimi i marrëveshjes shërben si bazë bashkëpunimi midis dy institucioneve. Qëllimi i saj është përcaktimi i procedures dhe vendosja e rregullave të bashkëpunimit midis dy institucioneve në mënyrë që të sigurohet shkëmbimi i informacionit lidhur me zbatimin e plotë nga ana e ekspertëve kontabël, kontabilistëve të miratuar dhe shoqërive të auditit të kodit të etikës dhe standarteve profesionale siç përcaktohen në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit e standarde te tjera përkatëse.
Në fjalën e saj, Zj. Elisabeta Gjoni, Kryetare e AMF-së, vlerësoi rëndësinë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje në drejtim të formalizimit më të mire të tregut financiar, zbatimit më të mire të rregullave të konkurrencës së lirë, zvogëlimit të evazionit fiskal, krimit ekonomik, të parandalimit të pastrimit të parave, dhe ngritjes së sistemeve moderne të informacionit dhe dokumentacionit.
Z. Ylber Bezo, kryetar i Bordit të Mbikëqyrjes Publike theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes do të ndikojë në përmirësimin e nivelit të sigurisë nga auditimet ligjore si dhe do te rrisë nivelin e cilësisë nga shërbimet kontabël në kushtet e një mjedisi transparent, të kontrolluar dhe të kujdesshëm në përputhje të plotë me interesat e publikut duke respektuar pavarësinë dhe nderin e anëtarësisë profesionale si dhe kërkesat e ruajtjes së konfidencialitetit sipas legjislacionit në fuqi.
Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues nga të dy institucionet.
Shqip
English