Zhvillohet ceremonia për dhënien e licencës “Shoqërisë administruese të fondeve të pensionit Raiffeisen” sh.a
Në datën 11 nëntor 2010, në ambientet e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, u zhvillua ceremonia për dhënien e licencës “Shoqërisë administruese të fondeve të pensionit Raiffeisen” sh.a. Dhënia e licencës, vjen pas miratimit në Kuvendin e Shqipërisë të Ligjit nr. 10197, datë 10.12.2009 “Për fondet e pensionit vullnetar”, me nismën e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për përmirësimin dhe funksionimin real të sistemit të pensionit vullnetar.
Ligji përcakton qartë rolin e shoqërisë administruese në administrimin e fondeve të pensionit vullnetar, si shoqëri e specializuar në mbledhjen dhe investimin e fondeve të pensioneve, si dhe kryerjen e pagesave të pensionit. Skema e re e organizimit dhe funksionimit të pensioneve vullnetare, e sanksionuar në ligjin e ri, përbën një risi për tregun financiar shqiptar. Për më tepër, përfshirja e lehtësirave tatimore në këtë ligj, do ta bëjë skemën e pensionit privat me atraktiv për kontribuesit dhe punëdhënësit.
Ligji vendos standardet e nevojshme për administrimin me efektivitet të fondeve të pensioneve private, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e anëtarit të fondit të pensionit, të nxitet qëndrueshmëria, siguria dhe mirëqeverisja e aseteve të fondit të pensionit.
Në fjalën e saj, Kryetarja e AMF-së, Zj. Elisabeta Gjoni, midis të tjerave vlerësoi angazhimin e “Shoqërisë administruese të fondeve të pensionit Raiffeisen” sh.a, në veprimtarinë e tregut të pensioneve në vend dhe shprehu besimin qe kjo shoqëri do të përmbushë detyrat konform ligjit, duke shërbyer si model për zgjerimin e këtij tregu në të ardhmen. Ajo, gjithashtu, vlerësoi punën e stafit të AMF-së dhe të “Shoqërisë administruese të fondeve të pensionit Raiffeisen” sh.a në këtë proces.
Z. Christian Canacaris, Drejtor ekzekutiv i Raiffeisen Bank në Shqipëri, pasi shprehu kënaqësinë e të qenurit të parët që u licencuan në këtë treg, theksoi përkushtimin e tyre në drejtim të zhvillimit të tregut të pensioneve private në Shqipëri, duke shfrytëzuar edhe eksperiencën e tyre në këtë fushë, në rajon dhe më gjerë.
“Instituti Privat i Pensioneve Raiffeisen” sh.a, është shoqëria e parë që aplikoi për licencë në përputhje me kërkesat e reja. Bordi i AMF-së, në mbledhjen e datës 18.10.2010, miratoi dhënien e licencës “Shoqërisë administruese të fondeve të pensionit Raiffeisen” sh.a. për të vepruar si shoqëri e administrimit të fondeve të pensionit vullnetar, për mbledhjen dhe investimin e fondeve të pensioneve, si dhe kryerjen e pagesave të pensionit.
“Shoqëria administruese e fondeve të pensionit Raiffeisen” sh.a, do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tregut të pensioneve vullnetare dhe në rritjen e besueshmërisë së individëve dhe bizneseve për të përfshirë punonjësit e tyre në skemën e pensioneve vullnetare.
Shqip
English

