18 Nentor 2010

Mbi zhvillimin e mbledhjes së Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

Në mbledhjen e datës 18 nëntor 2010, Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, shqyrtoi dhe miratoi:

1. Pjesëmarrjen influencuese të shoqërisë “Viena Insurance Group AG Wiener Versicherung Gruppe” në shoqërinë e
    sigurimit “Interalbanian” sh.a  dhe miratimin e  statutit të ri të shoqërisë së sigurimit “Interalbanian” sh.a;

Në bazë dhe për zbatim të pikës 6/hj, të nenit 14, të Ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare” dhe nenit 55 e 56 të Ligjit nr. 9267 datë 29.07.2004 “Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime”, Bordi, pasi shqyrtoi dokumentacionin e depozituar, vendosi të miratojë kërkesën për pjesëmarrje influencuese të shoqërisë “Viena Insurance Group AG Wiener Versicherung Gruppe” në shoqërinë e sigurimit “Interalbanian” sh.a, si dhe statutin e ri të shoqërisë.

2. Rregulloren për testimin e administratorëve të shoqërive administruese të fondeve të pensioneve;

Në bazë të Ligjit nr. 10 197, datë 10.12.2009 “Për fondet e pensionit vullnetar”, Autoriteti duhet të nxjerrë rregullore për testimin e administratorëve  të shoqërisë administruese të fondeve të pensioneve. Këta persona duhet t’i nënshtrohen testimit  në fushën dhe legjislacionin e fondeve të pensionit vullnetar. Për këtë arsye, rregullorja parashikon procedurat e organizimit të testimit, ngritjen e komisionit të testimit, si dhe rastet e  delegimit të organizimit të testimit në qendra specializuara ose universitete/fakultete, etj.

3. Licencimin e shoqërisë “Banka Tirana” sh.a, për të vepruar si depozitar i fondeve të pensionit vullnetar”;

Në bazë të Ligjit nr. 10 197, datë 10.12.2009 “Për fondet e pensionit vullnetar”, AMF licencon si depozitar të fondit të pensionit, bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë, për kryerjen e shërbimeve të kujdestarisë depozitimit dhe të besimit. “Banka Tirana” sh.a është licencuar nga Banka e Shqipërisë për kryerjen e veprimtarisë financiare të ndërmjetësimit për transaksionet monetare të marrjes në kujdestari, shërbimet depozituese dhe të besimit. Bordi, pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht duke vlerësuar infrastrukturën (sistemin dhe  rregullat e brendshme) për kryerjen e shërbimeve të depozitimit për fondet e pensionit, miratoi licencimin e shoqërisë “Banka Tirana” sh.a.

4. Autorizimin e shoqërisë  “Banka Kombëtare Tregtare” sh.a, për të vepruar si kujdestar në letrat me vlerë të
   Qeverisë së Republikës së Shqipërisë;

Në bazë dhe për zbatim të pikës 6/c të nenit 14, të Ligjit nr. 9572, datë 03.07.2006 “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, të nenit 72, të Ligjit nr. 9879, datë 21.02.2008 “Për titujt”, dhe Rregullores nr. 21, datë 26.03.2009 “Për kushtet e autorizimit të kujdestarit të letrave me vlerë të Qeverisë”, Bordi, pasi shqyrtoi dokumentacionin e depozituar nga shoqëria, miratoi autorizimin për ushtrim veprimtarie si kujdestar në letrat me vlerë të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë .

5. Këshillin Mbikëqyrës të shoqërisë së sigurimit “SiCRED” sh.a dhe ndryshimin e statutit të shoqërisë;

Bordi vlerësoi se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë së sigurimit të jetës “SiCRED” sh.a nuk kanë pengesa ligjore në ushtrimin e funksionit të tyre, për rrjedhojë vendosi, rimandatimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë dhe miratimin e ndryshimit të nenit 3, të statutit,  si rezultat i ndryshimit të adresës së selisë.

6. Kushtet e përgjithshme, specimenin dhe tabelën e primeve të kontratës së sigurimit të pasagjerëve nga  
    aksidentet në transportin publik për shoqëritë e sigurimit “Insig” sh.a dhe “Atlantik” sh.a;

Kushtet e përgjithshme të kontratës së sigurimit të pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik në përmbajtje, në tërësi por edhe në elementët e veçantë, reflektojnë kërkesat e dispozitave të Ligjit nr. 10 076 datë, 12.2.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm më sektorin e transportit”.

7. Licencimin e Zj. Gjylizana Ibi, File Farruku dhe Z. Vehid Gjyli, si agjentë në sigurime në emër dhe për llogari të
    shoqërisë  së sigurimit  “Insig”sh.a;

8. Licencimin e  vlerësuesve të dëmeve në sigurime;

9. Ndryshimin në Rregulloren nr. 7, datë 30.08.2007 “Rregullat e brendshme të Autoritetit të Mbikëqyrjes
    Financiare”.