13 Janar 2011

Zhvillohet mbledhja e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare

Në mbledhjen e datës 13 janar 2011, Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, shqyrtoi dhe miratoi:

1.    Rregulloren "Për delegimin e funksioneve të shoqërisë administruese të fondeve të pensioneve";

Kjo rregullore hartohet në mbështetje të dispozitave të nenit 41, paragrafi 3, të Ligjit nr. 10197, datë 10.12.2009 "Mbi fondet e pensionit vullnetar" dhe ka për qëllim të përcaktojë llojet e funksioneve, rregullat dhe procedurat për delegim të funksioneve nga shoqëria administruese te palët e treta.

2.    Rregulloren "Për përmbajtjen e kontratës së fondit të pensionit dhe të prospektit";

Kjo rregullore hartohet në mbështetje të dispozitave të nenit 9, paragrafi 4, të Ligjit nr. 10197, datë 10.12.2009 "Mbi fondet e pensionit vullnetar" dhe përcakton rregulla më të hollësishme të përmbajtjes të kontratës dhe prospektit të fondit të pensionit vullnetar.

3.    Konkluzione si dhe masa korrigjuese në lidhje me analizën e shoqërive të sigurimit për periudhën deri në  30.09.2010;

4.    Buxhetin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit për vitin 2011;

5.    Propozimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit "Për Krijimin e Fondit të Kompensimit për vitin 2011";

6.    Ndryshimin e statutit të shoqërisë së sigurimit "Albsig" sh.a, si rezultat shitjes së 9.9% të kapitalit të shoqërisë nga aksionarët ekzistues tek shoqëria e sigurimit sllovene "Zavarovalnica Triglav d.d";

7.    Anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë "Sigal-Life Uniqa Group Austria" sh.a;

8.    Licencimin si  vlerësues të dëmeve në sigurime;

9.    Licencimin si agjentë në sigurime të jo-jetës, në emër dhe për llogari të shoqërisë së sigurimit "Insig" sh.a;

10.     Transferimin e paketës kontrolluese në masën 100% të shoqërisë së brokerimit "Broker Gaba" sh.a;

11.    Ndryshimin e Këshillit Mbikëqyrës dhe emrit të shoqërisë së brokerimit "Broker Gaba" sh.a;

12.    Tërheqjen e licencës për ushtrim aktiviteti si broker në sigurime,  të shoqërisë "First Broker" sh.a, pas kërkesës së shoqërisë për mbyllje aktiviteti;

13.    Planin financiar të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2011;

14.    Shtrirjen e ushtrimit të veprimtarisë të sigurimit të jetës, të shoqërisë "Sigal Uniqa Group Austria" sh.a, në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe territorin e Republikës së Kosovës";

15.    Ndryshimet në statutin e shoqërisë së sigurimit "Sigal Uniqa Group Austria" sh.a.