25 Janar 2011

Zhvillimet e Tregut të Sigurimeve në Shqipëri për Vitin 2010

Të ardhurat nga primet e sigurimit, në vitin 2010, arritën rreth 8,207 milionë lekë, ose 4.17% më shumë se viti 2009. Gjatë vitit 2010 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 736,278, duke shënuar një ulje prej rreth 2.57%, krahasuar me një vit më parë. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 88.98% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 10.34% dhe aktivitetin e risigurimeve me rreth 0.67%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 48.10% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 51.90% të totalit të tregut

Sigurimi i Detyrueshëm

Primet në sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 4,259 milionë lekë, ose rreth 1.68% më shumë se një vit më parë.

Produkti MTPL e brendshme  në vitin 2010 pati një rritje prej 7.21% për primet e shkruara bruto dhe numri i kontratave pati një rritje prej 5.99% krahasuar me vitin  2009.

Produkti Sigurim Kufitar në vitin 2010 pati një rritje prej 2.28% për primet e shkruara bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 3.18% krahasuar me vitin 2009.

Produkti Karton Jeshil pati një ulje me rreth 13.03% për primet e shkruara bruto, krahasuar me vitin 2009 dhe numri i kontratave pati një ulje prej 0.96% krahasuar me një vit më parë.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 3,948 milionë lekë, ose 7.00% më shumë se në vitin 2009 por me rreth 10.22 % ulje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me një vit më parë.

Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë vitit 2010  patën rritje me rreth 4.48%  kundrejt vitit 2009.

Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 1,988 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 46.65%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 24.87% .

Në portofolin Zjarri dhe rreziqet shtesë gjatë vitit 2010 ndihet një rritje prej 4.07% e numrit të kontratave të sigurimit dhe rritje me rreth 31.89% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me vitin  2009.

Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit në vitin  2010  arritën në rreth 458 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 22.06% në krahasim me një të vit më parë. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit me rreth 80.06% të të ardhurave të këtij grupi.

Primet nga sigurimet e Jetës në vitin 2010 arritën 849 milionë lekë, ose rreth 17.30% më shumë se viti i kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2010 u rritën me rreth 32.60% krahasuar me një vit më parë. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 1,908 milionë lekë, apo 83.24% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Duke i hedhur një vështrim dëmit mesatar në produktet e sigurimit motorik, meqenëse ky lloj sigurimi ka dhe peshën më të madhe në pagesën e dëmeve, të bie në sy një rritje e vlerës së dëmit mesatar për këtë lloj sigurimi, paraqitur në tabelën e mëposhtme:

 

në mijë lekë

Lloji i sigurimit

                                  Viti

2009

2010

                                                                                      Dëmi mesatar

MTPL e brendshme

 112

116

Karton Jeshil

666

1405

Kasko

100

87

Për çdo të interesuar, Buletini Statistikor  Viti 2010, përmban pasqyra të detajuara të ndarjes së Tregut të Sigurimeve sipas llojit të sigurimit, sipas produkteve të sigurimit, pjesëmarrjes së shoqërive të sigurimit, etj.

 

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Dhjetor 2010 (në versionin EXCEL) klikoni këtu

Për të lexuar materialin e plotë të raportit statistikor për periudhën Janar - Dhjetor 2010 (në versionin PDF) klikoni këtu