3 Shkurt 2011

Risiguruesit globalë mbeten të fortë pavarësisht sfidave

(Material i përpunuar, nxjerrë nga Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), dhjetor 2010)

Tregu global i risigurimeve ka treguar se është i fortë përballë kushteve jo të favorshme të vazhdueshme në ekonominë reale dhe në tregjet financiare në përgjithësi. Ky është konkluzioni kryesor i arritur nga Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) në Raportin e Tregut Global të Risigurimeve 2010.

Risiguruesit janë kontribuesit kryesorë për stabilitetin e tregjeve të sigurimeve, veçanërisht me anë të mbulimit që ata garantojnë kundrejt humbjeve nga katastrofat e natyrës dhe të shkaktuara nga njerëzit. Raporti i Tregut Global të Risigurimeve 2010, në Botimin e 7-të të tij, bazohet tek të dhënat unike, të dhëna nga 45 risiguruesit globalë në të gjithë botën, i cili në bashkëpunim me IAIS kontribuon për rritjen e njohurive për risigurimet, për të kuptuar, rregulluar e mbikëqyrur më mirë këtë industri kyçe financiare.

Risiguruesit rezultuan me rezultate financiare pozitive në vitin 2009, duke përfituar edhe nga menaxhimi i shëndoshë i portofoleve të aseteve dhe nga diversifikimi i risqeve të sigurimit, si dhe nga një vit i moderuar nga ana e katastrofave. Duke mos krijuar shqetësime sistemike në tregjet financiare, risiguruesit kanë kontribuar pozitivisht në stabilitetin financiar. Në veçanti, sektori i risigurimit ka vazhduar te fokusohet tek pranimi i riskut të diversifikuar, bazuar në të dhënat themelore të biznesit të risigurimit për t’i rezistuar një kohe veçanërisht të trazuar për ekonominë në tërësi dhe sektorin financiar në veçanti.

Kryetari i  Nëngrupit të Transparencës së Risigurimit, Jeremy Cox, gjithashtu thekson se: “pavarësisht kushteve jo të favorshme të vazhdueshme, risiguruesit kanë demonstruar se janë në gjendje t'i kuptojnë dhe menaxhojnë risqet siç duhet; ky nuk është thjesht një lajm i mirë për sektorin e risigurimit, por mbi të gjitha, ky është lajm i mirë për policëmbajtësit”.

Është theksuar gjithashtu, se në një periudhë të reformës së shpejtë që prek rregullimin e tregjeve financiare, sektori i risigurimeve  ka dhënë shembuj inkurajues të praktikave të shëndosha menaxhuese  të riskut të zbatuara në nivel global. Ka shumë për të mësuar nga kjo përvojë, dhe kjo është arsyeja përse IAIS është shumë e angazhuar për të vazhduar me mbikëqyrjen gjithëpërfshirëse të risigurimit dhe lidhjet e tij përtej kufijve dhe përtej sektorëve financiarë.

Për të lexuar materialin e plotë në faqen e IAIS, kliko këtu www.iaisweb.org